Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Nis Kuvendi, rikthehen përplasjet e akuzat

Gazeta10
18 January 2023 - 19:18

Raporti: Gentiana Gashi/Kanal10

Deputetët e Kuvendit të Kosovës i janë rikthyer punës. Seanca e parë për këtë vit është mbajtur këtë të mërkurë, e cila është karakterizuar me përplasje e akuza ndërmjet deputetëve të opozitës dhe atyre të partisë në pushtet. Nga PDK-ja kanë kërkuar shkarkimin e ministres Rozeta Hajdari. Kurse, është përmendur rasti i ambasadorit Martin Berishaj, si dhe deklaratat e Kurtit për Oliver Ivanoviqin. Derisa, disa nisma kanë kaluar, disa të tjera nuk kanë marr votat e shumicës së deputetëve.

Ashtu siç e kishin lënë vitin e kaluar, deputetët e Kuvendit të Kosovës, me përplasje e akuza e nisën edhe sesionin pranveror.

Me të nisur seanca, që në rend dite kishte si pikë edhe shqyrtimin e Projektligjit për  Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve, PDK-ja ka kërkuar shkarkimin e ministres së Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari.

Shefi i deputetëve të këtij subjekti politik, Abelard Tahiri, ka thënë se nuk do ta votojnë këtë projektligj që vjen nga një ministre e dënuar për mosdeklarim të pasurisë.

Por, si reagim ndaj Tahirit, shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila ka kërkuar që diskutimet të fokusohen në pikat e rendit të ditës.  

Derisa, deputeti i partisë në pushtet, Adnan Rrustemi, ka reaguar duke thënë se me një çështje teknike rreth deklarimit të pasurisë së Hajdarit, po tentohet të bëhet politikë, për çka vazhduan përplasjet.

Kurse, shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, ka zgjedhur legjislativin e vendit për të reaguar për përfshirjen e tij në videon e Vetëvendosjes me titullin “Çka ka, çka s’ka”.

Tahiri ka thënë se do të ushtrojë padi lidhur me këtë rast.

Gjithashtu, në këtë seancë, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar se skandali i ambasadorit, Martin Berishaj dhe rasti i Oliver Ivanoviqit do të bëjnë që të harrohen veprimet e qeverive të kaluara, duke iu kundërpërgjigjur deputetes së Vetëvendosjes, Tinka Kurti, që përmendi rastin “Pronto”.

Ndërkohë, për një aksion simbol brenda sallës së Kuvendit, është kujdesur deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, pas deklarimit të kryeministrit Kurti për ish-politikanin e vrarë serb, Oliver Ivanoviq.  

Sidoqoftë, sa i përket kërkesës për shkarkimin ose dorëheqjen e saj, ministrja Hajdari nuk ka folur në seancë, por ajo ka kërkuar miratimin e Projektligjit për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve, derisa një nismë e tillë nuk është kundërshtuar nga LDK-ja dhe AAK-ja.  

Pas debatit, ky projektligj ka kaluar, derisa nuk ka arritur të marr votën e deputetëve nisma e AAK-së për Projektligjin për Skemat Pensionale, si dhe disa pika të tjera.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.