Lajme

NISMA dënon sulmin në veri: Akt terrorist, është një thirrje për forcimin e aleancës sonë me partnerët strategjikë

Gazeta10
30 Nëntor 2024 - 16:26

NISMA Socialdemokrate e Fatmir Limajt përmes një komunikate për media kanë thënë se sulmi i mbrëmshëm ndaj infrastrukturës kritike në veri të Kosovës është një akt terrorist i rëndë dhe i papranueshëm, që kërcënon drejtpërdrejt sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.

“Ky sulm i orkestruar është një goditje ndaj stabilitetit dhe shtetësisë së Kosovës, dhe kërkon përgjigje të menjëhershme, të vendosur dhe të bashkërenduar me partnerët tanë ndërkombëtarë”, thuhet në njoftim.

“NISMA Socialdemokrate dënon fuqishëm këtë akt terrorist dhe qëndron fuqishëm përkrah Policisë së Kosovës, AKI-së dhe të gjitha institucioneve të sigurisë që po angazhohen për të rikthyer rendin dhe për të sjellë autorët e këtyre veprimeve kriminale para drejtësisë.

Kjo është një thirrje për forcimin e aleancës sonë me partnerët strategjikë. Vetëm përmes bashkëpunimit dhe vendosmërisë mund të mbrojmë sovranitetin dhe stabilitetin e vendit tonë.

Siguria dhe stabiliteti i Kosovës janë të panegociueshme. Çdo akt terrorist ndaj Kosovës duhet të marrë përgjigjen që meriton!”, thuhet tutje./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.