
Arrestimi i Haxhi Shalës ka nxitur një përplasje mes avokatit të tij, Xhevdet Smakqit dhe analistit Blerim Gashi.
Ky i fundit e ka pyetur avokatin Smakiqi nëse mund ta vërtetojë që ZPS-ja është joprofesionale dhe ka tendencë që të njollos luftën e UÇK-së duke u bazuar në dëshmi të rrejshme.
“A mendon që është me vend kur deklaron publikisht duke i bërë fajtor ata prokurorë të cilët janë francez, anglez, gjerman e amerikan se kanë ndonjë prapavijë dhe janë mbledhur bashkë atje dhe e paskan ‘sos’ që me ja nxjerrë faqen e zezë luftës sonë çlirimtare”, ka thënë Gashi, në emisionin ‘Politiko me Kushtrim Sadikun’.
Duke ju përgjigjur kësaj, avokati Smakiqi ka thënë se ka qenë dhe është tendencë e hapur për ta njollosur luftën e UÇK-së.
Sipas tij, ZPS është e padrejtë në proceset gjyqësore ndaj krerëve të UÇK-së.
“E keni parë që avokatët me renome që janë duke i mbrojtur krerët e UÇK-së, e argumentojnë në mënyrë faktike se si prokurori special që i ndjek krerët e UÇK-së ka marrë informata nga UDB-ja serbe në atë kohë”, ka thënë Smakiqi. /Gazeta10/