Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

NjSI-ja dhe Sindikata e Policisë sot protestojnë para qeverisë

Gazeta10
09 December 2023 - 8:14

Njësia më elitare e Policisë së Kosovës, NJSI, do të protestojë sërish sot para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Protesta do të mbahet në orën 12:00 dhe asaj do t’i bashkohet edhe Sindikata e Policisë së Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri. Ai ka thënë se gjatë protestës do të bëhen të ditura edhe kërkesat e tyre.

“Po, do të jemi në protestë, ku do t’i publikojmë edhe kërkesat tona”, ka thënë Zeqiri.

Ndryshe, pakënaqësitë lidhur me shtesat e rrezikshmërisë i kanë nxjerrë në rrugë, edhe më 1 nëntor, pjesëtarët e Njësive më Elitare të Policisë së Kosovës, Njësisë Speciale Intervenuese (NJSI) dhe Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive (NJTME).

Të veshur në uniforma, por pa armë, ata protestuan para objektit të Qeverisë së Kosovës me tri kërkesa kryesore: kategorizimin si njësi të veçanta dhe përfshirja në listën e ekspertëve, rrezikshmëria të përcaktohet në 50 për qind të pagës bazë dhe që të ketë shtesa për kushte specifike të punës.

Një tjetër protestë u paralajmërua nga ta më 7 nëntor, por po atë ditë Policia njoftoi se protesta është pezulluar përkohësisht. Ky vendim erdhi pasi kryeministri Albin Kurti u premtoi atyre takim zyrtar për t’i diskutuar kërkesat e tyre dhe për të gjetur një zgjidhje.

Takimi mes tyre u mbajtë, por pa ndonjë rezultat, që si rrjedhojë vjen edhe protesta e sotme.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.