
Raporti: Gentiana Gashi/Kana10
Kur kanë mbetur vetëm një ditë para se të fillojë viti i ri shkollor, nxënësit vazhdojnë ta kenë të pa qartë, nëse më 1 shtator do t’i kthehen bankave shkollore. Derisa ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka njoftuar se të enjten do të fillojë viti i ri shkollor, nga SBASHK-u u kanë bërë thirrje prindërve, që mos t’i dërgojnë fëmijët në shkolla. Kjo pasi ata thonë se mësimdhënësit nuk do të tërhiqen nga greva, shkruan Kanal10.
Në ditën kur është paraparë të fillojë viti i ri shkollor, nxënësit nuk e kanë ende të qartë nëse më 1 shtator do t’i kthehen bankave shkollore.
Kjo pasi që Ministria e Arsimit dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, nuk kanë arritur të dakordohen për ndërprerjen e grevës së mësimdhënësve.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci përmes një konference të mbajtur për media ka thënë se 90 për qind e institucioneve nuk do t’i bashkohen grevës së thirrur nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.
Ajo ka thënë se si ministri kanë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor më 1 shtator.
Mirëpo kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj u ka bërë thirrje prindërve që mos t’i dërgojnë fëmijët të enjten në shkolla.
Ai ka thënë se përkundër tendencave për t’i frikësuar mësimdhënësit, këta të fundit nuk do të tërhiqen nga grevat.
Pas deklaratave të SBASHK-ut, kanë reaguar nga Këshilli i Prindërve të Kosovës.
Nga ky këshill kanë kërkuar nga Ministria e Arsimit dhe SBASHK-ut që të gjejnë një zgjidhje, pasi sipas tyre, është e papranueshme që më 1 shtator, fëmijët të qëndrojnë në shtëpi. /Gazeta10