
Raporti: Egzona Shala/Kanal10
Nxënësit shqiptarë të tri komunave të Luginës së Preshevës, nga shtetit serb janë obliguar që të intonojnë himnin e Serbisë në ditën e parë të mësimit. Këtë vendim e ka kundërshtuar kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi. Ai ka thënë se edhe kjo çështje duhet të hyjë në kuadër të zbatimit të reciprocitetit mes të dyja vendeve. Kryeministri Kurti i ka quajtur si veprime të qëllimshme të Serbisë, pasi po ndihet e pafuqishme ndaj vendimeve të fundit të Kosovës, shkruan Kanal10.
Serbia ka obliguar shkollat shqipe në Luginë të Preshevës që ta intonojnë himnin serb.
Përmes një vendimi të lëshuar nga Ministria e Arsimit të Serbisë, thuhet se të gjitha shkollat në orën e parë duhet ta intonojnë himnin shtetëror.
E kundër këtij vendimi është kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, i cili ka thënë se një gjë e tillë nuk përkon me reciprocitetin në mes të dyja vendeve.
Arifi ndër të tjera ka thënë se deri më tani asnjëherë nuk e kanë zbatuar një gjë të tillë dhe se shqiptarët në Luginë në vazhdimësi po diskriminohen.
Këtë vendim të shtetit serb, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e ka quajtur veprim agresiv të Serbisë, pasi po ndihet secilën herë më e pafuqishme karshi Kosovës.
Kurti ka shtuar se si qeveri do të vazhdojnë t’i përkrahin dhe t’i ndihmojnë shqiptarët e Luginës.
Të hënën, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci, kanë vizituar Luginën e Preshevës, ku janë takuar me përfaqësues të shqiptarëve të Luginës dhe kanë vizituar edhe disa shkolla.
Por, delegacioni kosovarë nuk ishte takuar me të parin e Preshevës, Shqiprim Arifi. /Gazeta10