
Raporti: Bleona Dallaveraj
Dakordim dhe jo marrëveshje, e ka cilësuar kryeministri i vendit, Albin Kurti, pajtimin e arritur të mërkurën vonë në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave ilegale serbe.
Para deputetëve të legjislativit, Kurti ka thënë se ka një dallim të madh ndërmjet bisedimeve të së hënës, ku ai takoi presidentin serb, Vuçiq, dhe asaj që u arrit dy ditë më vonë nga kryenegociatorët Bislimi e Petkoviq.
Kurti ka deklaruar se të hënën i ishte ofruar një dokument me 95 fjalë, brenda të cilit propozimi franko-gjerman nuk ka qenë i përfshirë, derisa sipas tij, kjo situatë ka ndryshuar të mekurën.
Kurti ka insistuar se Qeveria nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket targave ilegale, por sipas tij, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ka ndryshuar deklaratë çka ka mundësuar arritjen e dakordimit të mërkurën.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i ka reaguar kryeministrit duke thënë se e vërteta është ndryshe nga ajo që deklaron Kurti.
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka thënë se kthimi dhe pranimi i marrëveshjes së njëjtë tregon qasjen jo serioze dhe paaftësinë e ekzekutivit përballë përgjegjësisë shtetërore.
Kurse, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se me marrëveshjen e arritur është evituar rreziku për përshkallëzim të veriut, që mund të përfundonte me viktima.
Ai ka kërkuar nga shefi i Qeverisë që të mos e rrezikojë tërësinë territoriale për t’i ikur formimit të Asociacionit.
Ndër të tjera në këtë seancë është votuar edhe propozimi për dy kandidatët për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, ku këtë pozitë me 61 votat e deputetëve e ka fituar Enver Peci i cili aktualisht është Kryetar i Gjykatës Supreme.