
Raporti Gresa Bardhecaj / Kanal10
Kryetarët e partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe takimeve zyrtare me krerët e lartë të shtetit, kanë bërë thirrje për bashkëpunim të ngushtë të institucioneve të vendit me ShBA-të. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku me këtë rast ka kritikuar ekzekutivin se ka degraduar raportet me qeverinë amerikane, shkruan Kanal10.
Dy liderët e partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë përsëritur nevojën për bashkëpunim të ngushtë të institucioneve të vendit me ShBA-të derisa kanë kritikuar ekzekutivin se ka degraduar raportin me qeverinë amerikane.
Gjatë kësaj vizite zyrtare, të dy kryetarët kanë zhvilluar takime me zv.ndihmës Sekretarin e Shtetit dhe të Dërguarin e Posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Përmes një njoftimi në Facebook, kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka njoftuar se me Gabriel Escobar kanë folur për situatën e sigurisë në Kosovë si dhe domosdoshmërinë e intensifikimit të përpjekjeve në dialog me Serbinë, për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me njohje reciproke në qendër.
“Z. Escobar i shpreha qëndrimin e PDK-së se rreshtimi dhe koordinimi me SHBA-në për ne është pa alternativë, edhe për shkak të mbështetjes së vazhdueshme që na jep në procesin e integrimit dhe fuqizimit në arenën ndërkombëtare – përfshirë synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO, BE dhe OKB. Z.Escobar e sigurova se qëndrimi i popullit të Kosovës, e pa dyshim edhe i PDK-së si lidere e opozitës, për ruajtjen dhe fuqizimin e raporteve bilaterale dhe strategjike ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve është i padiskutueshëm dhe i pandryshueshëm.”, tha Krasniqi.
Kurse i pari i LDK-së Lumir Abdixhiku ka shprehur nevojën e koordinimit të institucioneve të Kosovës me ShBA-të dhe partnerët e tjerë për të kapërcyer sfidat.
“Në frymën e diskutimit që pata sot në Departamentin e Shtetit, shpreh edhe një herë shqetësimin tim dhe të LDK-së për shkallën në të cilën institucionet e Kosovës e kanë degraduar raportin me Qeverinë amerikane. Për shtetin tonë të ri, aleanca me SHBA-të është jetike. Kështu ka qenë tash e më shumë se tri dekada. Aleanca dhe bashkëpunimi i ngushtë me SHBA-të dhe me partnerët evropianë, Kosovës ia kanë sjellë lirinë dhe pavarësinë. Populli i Kosovës është përjetë mirënjohës për gjithë angazhimin e partnerëve tanë.”, theksoi Abdixhiku.
Ndër të tjera të dy kryetarët opozitar, kanë shprehur falënderim dhe mirënjohje ndaj shtetit amerikan për mbështetjen e palëkundur dhe ndihmën në çlirimin dhe shtetndërtimin e Kosovës. /Kanal10