
Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, ka filluar dëshminë e tij në Gjykatën Speciale, në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Mustafa po dëshmon pa masa mbrojtëse dhe leximi i deklaratës së betimit në gjykatore u bë në seancë publike.
Ai është marrë në pyetje nga Prokuroria e Specializuar, dhe në fillim ka treguar se më 15 shtator ka qenë dita e parë kur ka marrë pjesë në betejë. Saktësisht në betejën e Kaçandollit.
Remi është përballur nga Prokuroria me disa dokumente që tregonin për raportet që duhet të kenë zonat e ndryshme me vëzhguesit e OSBE-së.
Mustafa gjithashtu gjatë marrjes në pyetje nga prokuroria ka përmendur edhe Jakup Krasniqin e Lirak Qelajn.
Prokurorja po ashtu ka pyetur Mustafa se ai ka përmendur ardhjen e OSBE-së. Çfarë qëllimi kishte?
Rrustem Mustafa është shprehur se ka të bëjë me vëzhgimin e luftës që po zhvillohej në Kosovë dhe ndërmjetësimin mes dy palëve.
Prokurorja ka vazhduar me pyetjet ndaj Mustafës për një dokument ku tregon se si të veprohej me gazetarët, vëzhguesit e diplomatët për këtë dokument Rrustem Mustafa, ka thënë se nuk po i kujtohet.
“Po e shoh tani si dokument, por nuk më kujtohet.Unë e di që është diskutuar brenda radhëve të UÇK-së mirësjellja me vëzhgues e gazetarë por edhe me gjithçka që komunikonte me luftën tonë, por dokumenti nuk po më kujtohet”, ka thënë ai.
Prokurorja për këtë dokument ka pyetur Remin se “a ka ndodhur që është caktuar një person për komunikim me vëzhgues?”, ka thënë prokurorja.
Remi ka thënë se nuk i kujtohet kush ka qenë por ka përmendur disa emra.
“As sot nuk e di kush ka qenë. Për zonën e Llapit e kam caktuar unë, jo shtabi i përgjithshëm.Kam pasur tre ose katër persona. Ismet Cakiqi, Lirak Qelaj, Hysen Fazliu dhe eprorët e lartë të zonës shefi i shtabit, zëvendësi im dhe komandantët e brigadave”, ka thënë ai.
Prokurorja në fund ka pyetur Mustafën për dokumentin “UÇK, shtrirja e saj në terren dhe raporti i saj me vëzhguesit e OSBE-së se a e njohi këtë dokument, ku si dhe ndërlidhës për zonën e Llapit është caktuar Fatmir Humolli dhe se ai ka pasur një rol me OSBE-në ”.
“Po më duket është gabim. Ky emër më së paku është marrë me këtë çështje. Mund të jetë takuar, caktuar, por nuk e paskam ditur këtë gjë”, ka thënë ai.