
Në emisionin “Raport” me gazetarin Naim Sadiku, në 24 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri ka thënë se ky përvjetor në aspektin profesional i gjenë policët në profesionalizmin më të lartë që mund të krahasohemi me shtetet jo vetëm të ballkanit por edhe të Evropës.
Ai i ka uruar policët për këtë përvjetor dhe ka deklaruar që kjo datë është e rëndësishme për shtetin e Kosovës sepse me themelimin e saj është zyrtarizuar edhe shtetësia e Kosovës.
Duke folur për sfidat me të cilat po ballafaqohen policët sot, Zeqiri ka përmendur kushtet e punës, sigurimin shëndetësor dhe jetësor, për të cilat ai tha se secili qeveri ka premtuar por ende nuk është realizuar kjo kërkesë e sindikatës së policisë.
“Pa sigurim shëndetësor dhe jetësor nuk ka asnjë polici në botë dhe kur e dijmë me çfarë sfidash dhe rrezikshmërie ballafaqohen policët e Kosovës duke marrë parasysh që deri me tani 23 zyrtarë policorë e kanë humbur jetën gjatë detyrës zyrtare, kemi mbi 4 mijë raste të lëndimeve dhe një pjesë prej tyre kanë mbetur me aftësi të kufizuara dhe ende nuk ka ndodhur sigurimi shëndetësor dhe jetësor”, ka thënë Zeqiri.
Ai ka përmendur edhe vonesat në sigurimin e veshmbathjeve të policisë për të cilat fajtor ka lënë mungesën e kompletimit të bordit të OSHP-së. /Gazeta10/