Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Pak para zgjedhjeve, Kurti merr pjesë në nisjen e punimeve në një rrugë, operatorit i thotë të punojë shpejt

Gazeta10
16 May 2026 - 20:45

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit,  Dimal Basha, mori pjesë në ceremoninë e nisjes së punimeve në rrugën rajonale R-118 nga qendra  e Mushtishtit deri në Delloc.

Rruga, e cila do të lidhë Shirokën me Shtërpcë e që kalon nëpër Mushtisht, është e gjatë 1140 metra dhe  kostoja e gjithmbarshme është 1 milion euro. Me këtë rast kryeministri në detyrë Kurti inkurajoi operatorin ekonomik që dinamika e punimeve të jetë e përshpejtuar.

“Tejet e rëndësishme është  të lidhet Suhareka me Shtërpcë, për qytetarët, për turizmin, për bizneset. Dhe në këtë mënyrë krijojmë kushte më të mira edhe për bashkatdhetarët tanë, të cilët siç e dini kur vijnë në Kosovë dëshirojnë që t’i vizitojnë pjesët më të bukura të vendit tonë,  e unë besoj që bjeshka e Mushtishtit e deri te Brezovica është një brez i tillë i bukurive të rralla natyrore e me potencial të madh për turizëm natyror e turizëm kulturor”, tha ai, njofton përmes komunikatës ZKM.

Prononcimi i Kurtit:

Jemi këtu bashkë me ministrin në detyrë të Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Bashën, por edhe me ish-ministrin Hysen Durmishin, me aktivistë e me zyrtarë të institucioneve e të Lëvizjes, në vendosjen e fillimit të punimeve për rrugën, e cila do ta lidh Shirokën me Shtërpcë e kalon  këtu nëpër Mushtisht.

Pardje e kemi marrë vendimin si Qeveri e Republikës për shpronësimet e nevojshme dhe pa humbur kohë po e fillojmë punën për këtë rrugë, e cila është gjithsej e gjatë 1140 metra dhe kostoja e gjithmbarshme është 1 milion euro.

Unë falënderoj operatorin ekonomik, e inkurajoj që dinamika e punimeve të jetë e përshpejtuar dhe gjithashtu falënderoj ministrin, ish-ministrin dhe të gjithë banorët e Mushtishtit. Do të vijmë këtu bashkë prapë kur duhet ta bëjmë edhe përurimin.

Tejet e rëndësishme është të lidhet Suhareka me Shtërpcë, për qytetarët, për turizmin, për bizneset. Dhe në këtë mënyrë krijojmë kushte më të mira edhe për bashkatdhetarët tanë, të cilët siç e dini kur vijnë në Kosovë dëshirojnë që t’i vizitojnë pjesët më të bukura të vendit tonë,  e unë besoj që bjeshka e Mushtishtit e deri te Brezovica është një brez i tillë i bukurive të rralla natyrore e me potencial të madh për turizëm natyror e turizëm kulturor.

Urime të gjithëve!

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.