
Një ditë pas hapjes së parkingut nëntokësor në Prishtinë, i konsideruar me çmimet më të shtrenjta në rajon, në rrjete sociale u publikua një foto duke thënë se pati rrjedhje uji.
Megjithatë, menaxhmenti i “Parking Center”, mohoi se ka pasur ndonjë problem por uji i fotografuar është për shkak të pastrimit të përditshëm.
Drejtori menaxhues “Parking Center”, Korab Fazliu, deklaroi se parkingu i nënshtrohet procedurave të pastrimit, duke mohuar ndonjë problem, shkruan Kosovapress, transmeton Gazeta10.
“Jo, nuk ka pasur rrjedhje të ujit prej jashtë, parkingu është në pastrim e sipër edhe pse e kemi pastruar 5 herë me makinat qe i përdorim, mirëpo e kemi pastruar edhe me ujë, pra me zorrë. Parkingu do të jetë në mirëmbajtje 24 orë. Nëse pjesa e nivelit -1 është e tharë, pjesa e nivelit -2 do të jetë e lagur për arsye se makineritë non-stop punojnë, punëtorët punojnë 24 orë”, tha Fazliu.
Fazliu u shpreh se edhe nëse ka ndonjë problem në të ardhmen me parkingun, qytetarët duhet të jenë të qetë, pasi rregullimi nuk do të bëhet me paratë e tyre, por me të kompanisë.
“Edhe në rast se në të ardhmen do të kemi problem me ujë ose diçka tjetër jemi ne si kompani që kemi investuar prej fillimit, që do të investojmë përsëri, pra parkingu është ndërtuar me paratë e kompanisë, jo me paratë e taksapaguesve, kështu që qytetarët e Prishtinës te jenë të qetë, çdo problem evident që mundet me ndodhë në të ardhmen është kosto e kompanisë tonë, mirëmbajtja ose 20 persona që i kemi në grup për mirëmbajtjen e parkingut. Po ashtu, edhe pagat e tyre janë barrë e kompanisë tonë, pra ne marrim përsipër gjithçka që çka ndodh në këtë parking, nëse ndodh dëm ose diçka tjetër ne i rregullojmë ato dëme”, vijoi Fazliu.
Një tjetër kritikë që është dhënë për parkingun ka qenë edhe çmimi i lartë. Krahasuar me Tiranën që tre orë parkim i ka 1 euro e 70 centë e po ashtu edhe me Shkupin që po ashtu një orë parkim i ka rreth 80 centë, në Prishtinë një orë është 1 euro.
“Çmimet në ‘Parking Center’ është sikurse në çdo parking tjetër në qendrën e Prishtinës, ka kohë të gjatë tashmë 5-6 vite që në qendër të Prishtinës veturat kanë paguar 1 euro për një orë gjatë kohës së parkingut.”, ak thënë ai./Gazeta10