
Vetëvendosje po mban këtë të diel mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.
Aty kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka treguar një bisedë interesante të cilën e ka zhvilluar me kryetarin Lulzim Hetemi të Leposaviqit.
Kreu i ekzekutivit ka theksuar se deri në zgjedhjet e hershme në komunat veriore, kryetarët e tanishëm duhet ta ushtrojnë detyrën e tyre, ndërsa u ka bërë thirrje serbëve që të marrin pjesë në zgjedhje.
“Këta [kryetarët e tanishëm] kanë marrë pak vota, po të tjerët s’kanë marrë aspak vota. Serbët duhet të dalin në zgjedhje, dhe jo të bojkotojnë. Zgjedhjet duhet të jenë të lira, të hapura, pa frikë, pa kërcënime, pa banda kriminale”, ka deklaruar ai.
Kurti ka përsëritur edhe një herë që objektet komunale janë ndërtesa që i përkasin Republikës së Kosovës dhe jo të një etnie.
“Në Mitrovicë, Atiq po e konsolidon kabinetin e tij. Drejtorët nuk i ka vetëm shqiptarë. Edhe Hetemi e ka një nënkryetare serbe, ashtu si në Zveçan. Unë e kam ministër Nenad Rashiqin dhe kam bashkëpunim të mirë. Nuk është e drejtë të insistohet nga kushdo qoftë që në komunat veriore të ketë vetëm kryetar serb dhe të hyhet në objektet komunale vetëm kryetari serb. Ndërtesa është e Republikës. Nuk ka asnjë ndërtesë publike në Republikën e Kosovës ku mund të hyjë vetëm një etni. Ashtu i bie që ndërtesat të jenë segragacion, aparteid. E kemi përjetuar në shekullin e kaluar, nuk duam ta përjetojmë në këtë shekull. Jo për inat të ndokujt, por për hir të Republikës”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se dhuna në veri zgjati për dy ditë e gjysmë. Sipas tij, dhuna në komunat veriore zgjat për aq sa janë urdhrat e Beogradit.
“Ditë të qeta janë ato ditë ku nuk ka urdhër për dhunë nga Beogradi. Kjo tregon shumë qartë raportin shkak-pasojë”, ka shtuar ai.
Kurti ka lavdëruar për punë profesionale Policinë e Kosovës, derisa ka treguar një bisedë në telefon që ka pasur me me kryetarin e Leposaviqit, Lulzim Hetemi, i cili po qëndron në objekt komunal qe dy javë.
“E thirra në telefon me e pyet mos është mërzitur në zyrë. Kur e hapi, ai ishte i brengosur mos isha mërzitur unë. Unë isha i shqetësuar mos po lëshon pe ai, ai ishte i shqetësuar mos po lëshoj pe unë”, ka treguar duke qeshur Kurti.
Serbët në veri kanë protestuar qe dy javë, që kur u synua që në objektet komunale në katër komunat veriore të hynin kryetarët shqiptarë. Ditët e para të protestës ishin të tensionuara, madje pati edhe të lënduar nga radhët e KFOR-it. Por ditëve të fundit, numri i protestuesve është ulur dhe ato janë të qeta.
Ndërkombëtarët kanë bërë thirrje për shtensionim të situatës, ndërsa kanë fajësuar Kosovën për zhvillimet e fundit.