
Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të përfundojë Ligji i Pagave dhe pagën minimale, raporton Gazeta10.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka thënë se përfundimi i Ligjit të Pagave do të ishte jashtëzakonisht i nevojshëm.
Ai ka thënë se ky ligj po vonohet pa ndonjë arsye.
“Puna e parë do të ishte jashtëzakonisht e nevojshme që tashmë të përfundojë Ligji i Pagave, i cili mund të zgjidhte shumë sfida dhe problemet në të cilat janë sot në sektorin e arsimit dhe në shumë sektorë të tjerë, si dhe do të zgjidhte shumë mundësi në çështjet sociale të qytetarëve tanë. Një ligj i cili po vonohet pa ndonjë arsye dhe një ligj i cili do të duhej tashmë të jetë praktikisht në funksion dhe jo më të shohim zvarritje. Ligji po ashtu do të zgjidhte dilema që kemi me shoqatat e luftës dhe me shumë kategori tjera sociale”, u shpreh Shala për EO.
Tutje, Shala ka thënë se nuk pajtohen që paga minimale të jetë 250 euro e sidomos në këto rrethana aktuale.
“Definitivisht po, ne nuk jemi pajtuar dhe nuk mund të pajtohemi me një ligj të tillë i cili pagën minimale në rend të parë e përcakton me 250 euro, kur tashmë e kemi një inflacion që tashmë i afrohet një përqindjeje të lartë, dhe në këtë relacion ky ligj nuk i plotëson as kriteret minimale për kohën aktuale dhe për këtë që po realizohet aktualisht”, u shpreh tutje Shala.
Ndërsa deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka thënë se ajo që është shqetësuese është se qeveria ka 51% dhe sërish ka probleme në legjislacion.
Krasniqi ka thënë se ky fakt është përmendur edhe në Raportin e Progresit për Kosovën teksa ka marrë edhe raste konkrete të ngecjeve.
“Kryesorja ka qenë Ligji i Pagave që deri më tani ende nuk ka ardhë në seancë, mirëpo është në dëgjim publik. Ajo ka qenë shqetësuese për arsye se qeveria edhe pse e ka një 51 për qind, ka qenë ngecje në pjesën e legjislacionit, e kemi parë edhe në raportin e Progresit ku thuhet se nuk ka pasur progres në kuvend. Po flas edhe si kryetare e Komisionit për Integrim Evropian, ku ne bazohemi në dy dokumentacionet bazë që kanë të bëjnë me integrimin, ku është Programi Kombëtar për zbatimin e MSA-së dhe Agjenda për Reforma Evropiane, kur siç e kanë paraparë qeveria dhe Bashkimi Evropian, në këtë legjislacion nuk kanë kaluar 37 ligje që i ka Raporti Kombëtar për zbatimin e MSA-së, por që kanë kaluar vetëm 15 ligje, ndërsa Agjenda për Reforma Evropiane që i ka 41 ligje, e që kanë kaluar vetëm gjashtë”, ka thënë Krasniqi. / Gazeta10.