
Partia Demokratike e Kosovës, sot do të mbajë mbledhjen e Këshillit Drejtues, ku do të diskutohet situata në veri të vendit.
Lidhur me këtë ka njoftuar disa ditë më parë, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili ka thënë se qytetarët kanë nevojë për qartësi në këtë kohë të konfuzionit, shkruan Gazeta10.
“Kam ftuar mbledhjen e Këshillit Drejtues të PDK-së, për të diskutuar për gjendjen e rëndë në vend dhe për rrugën që është para nesh. Mbi të gjitha, për vendimet dhe veprimet që i kërkon kjo periudhë sfiduese. Situata nuk është normale dhe nuk mund ta simulojmë normalitetin. Qytetarët kanë nevojë për qartësi në këtë kohë konfuzioni. Dhe një gjë është më se e qartë: Kosova nuk mund të mbetet edhe më tutje peng e tekeve të Albin Kurtit”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Krasniqi në shkrimin e tij e akuzon kryeministrin Kurti se me veprimet e tij po e vendos Kosovën në hartën e vendeve të sanksionuara.
“Ky kryeministër i papërgjegjshëm po e vendosë Kosovën në hartën e vendeve të sanksionuara ku, nga Evropa, bëjnë pjesë vetëm Rusia, Bjellorusia, Moldavia e Republika Srpska”, shkroi ai.
Nga PDK, nuk kanë dalë ende me njoftim për orën e saktë të takimit dhe vendimet që do të merren./Gazeta10