
Mesfushori spanjoll, Pedri do të rikthehet nga lëndimi në kohë për sfidën që Barcelona e zhvillon ndaj Real Madridit javën e ardhshme në kuadër të javës së 26-të në La Liga.
Siç raportojnë mediat spanjolle, talenti 20-vjeçar ka lënë lëndimin prapa krahëve dhe tani është në dispozicion të trajnerit Xavi.
Mesfushori spanjoll pësoi një lëndim muskulor në sfidën ndaj Manchester United e cila u zhvillua me 17 shkurt në “Camp Nou”.
Deri më tash këtë sezon, Pedri ka zhvilluar 30 ndeshje në të gjitha garat me fanellën e Barcelonës duke shënuar 7 gola.
Pedri u transferua tek Barcelona nga Las Palmas për shumën e 17 milionë eurove. Ai ka kontratë me katalanasit deri në qershor të vitit 2026.
Barcelona momentalisht gjendet në pozitën e parë në tabelën e klasifikimit në LaLiga me 65 pikë të grumbulluara pas 25 xhirove të zhvilluara.
Ata janë në garë gjithashtu edhe në Copa Del Rey ku më 5 prill presin në “Camp Nou” Real Madridin për sfidën e dytë. Ndeshja e parë përfundoi me rezultat 1-0 në të mirë të blaugranasve.