Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Për rrymën në veri u paguan 63.2 milionë euro në vitin 2022

Gazeta10
15 Nëntor 2023 - 13:40

Më shumë se 63 milionë euro janë ndarë nga Qeveria e Kosovës gjatë vitit 2022 për mbulimin e energjisë së shpenzuar në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të KOSTT-it, Jeton Mehmeti, gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Ndërsa në total për vitet 2021-22, shuma e paguar për veriun janë 113 milionë euro.

Për këtë shifra reagoi pak më parë deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

Hoti tha se qeveritarët e sotëm nuk kanë lënë gjë pa bërë kundër qeverive të kaluara kur ato detyroheshin të bënin pagesat për energjinë në veri, gjersa tani po paguajnë dyfish më shumë.

“Anomalia qëndron edhe në faktin se në vitin 2021, pagesa u bë me vendim të Kuvendit. Ndërkaq, në vitin 2022 u anashkalua Kuvendi dhe pagesa u krye me vendime tjera. Qeveritarët e sotëm nuk kanë lënë gjë pa bërë kundër qeverive të kaluara kur ato detyroheshin të bënin pagesat për energjinë në veri. Tani paguajnë shumëfish më shumë dhe nuk i shihet fundi si do të mbyllet kjo çështje”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Nga përfundimi i luftës deri më 2017, qytetarët e komunave të tjera të Kosovës kanë paguar për rrymën e shpenzuar nga qytetarët në veri të Kosovës. Gjatë kësaj periudhe kohore, faturat e qytetarëve në komunat e tjera të Kosovës – përjashto veriun – kanë qenë për 3.5 për qind më shtrenjtë.

Më 2017, Gjykata e Apelit kishte vendosur se është e jashtëligjshme praktika që qytetarët e viseve të tjera të Kosovës të paguajnë për rrymën e shpenzuar në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe.

Në vendimin e Gjykatës Supreme u tha se kjo praktikë e faturimit nuk është në përputhje me Ligjin për rregullatorin për energji elektrike, pasi “është bërë trajtim i pabarabartë i banorëve të katër komunave veriore në raport me banorët e pjesës tjetër dhe se i njëjti faturim nuk është i autorizuar me ligj”.

Nga viti 2017, përgjegjësia e pagesës për rrymën e shpenzuar në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, i ka kaluar Qeverisë së Kosovës.

Për çështjen e energjisë elektrike në veri, Kosova dhe Serbia kanë diskutuar edhe në kuadër të dialogut, Më 2022, Prishtina dhe Beogradi u pajtuan për Udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes për energjinë, për të cilin Kosova po e akuzon Serbinë se nuk po e zbaton.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.