Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka përfunduar reduktimi i mëtejshëm i forcave policore në dhe rreth ndërtesave në veri, në masën prej 25 përqind, sipas dakordimit që ishte arritur në Bratisllavë mes zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe Emisarit të BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Lajmin për Gazeta10 e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për Rajonin e Veriut, Veton Elshani.
“PO”, ka thënë shkurtimisht Elshani.
Ndryshe, më 10 korrik në Bratisllavë kryenegociatori Besnik Bislimi dhe emisari i BE-së Miroslav Lajçak u dakorduan për katër hapat që do të ndiqen për t’u ulur tensionet në Veri. Hapi i parë dhe i dytë kanë të bëjnë me reduktimin e policisë në dhe rreth ndërtesave komunale.
Redukimi i parë I policëve është bërë më 12 korrik, derisa dje Policia e Kosovës njoftoi se do të bëhet edhe largimi i 25 përqind të policëve tjerë.
“Policia e Kosovës në vazhdën e realizmit të detyrave dhe autorizimeve të saja kushtetuese dhe ligjore në interes të sigurisë publike në vend, si dhe me qëllim të zbatimit të dakordimeve të arritura në Bratisllavë me 10 korrik 2023, në mes të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës, saktësisht hapit dy të këtij dakordimi, me këtë rast është mbajtur takimi punues mes Policisë së Kosovës, EULEX dhe KFOR për vlerësim të situatës së sigurisë, në dhe përreth ndërtesave komunale të komunave veriore. Sipas vlerësimit të përbashkët, nga Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR, situata e sigurisë në dhe rreth objekteve të komunave veriore vlerësohet se është e mirë. Në kuptim të këtij konstatimi të përbashkët, nga nesër fillon zvogëlimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për 25%, në dhe përreth objekteve komunale në veri”, ka njoftuar Policia.
PK ka thënë se ekipet e Policisë së Kosovës bashkë me EULEX-in dhe KFOR-in, do të vijojnë koordinimin dhe do të ndërmarrin veprimet e nevojshme sipas vlerësimit të rregullt të situatës së sigurisë në dhe përreth objekteve komunale, në komunat veriore.
Pas njoftimit të Policisë, në mbrëmje ka reaguar Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Duke njoftuar për reduktimin e mëtejmë të Policisë, ai ka thënë se Kosova është duke e respektuar marrëveshjen e Bratislavës.
”Kosova po zbaton zotimet nga marrëveshja e Bratislavës dhe po vazhdon të kontribuojë pozitivisht në de-përshkallëzimin”, ka thënë ai.
Postimin e Sveçlës e shpërndau në Tëitter zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
”Pas Marrëveshjes së Bratislavës, ka një proces të besueshëm drejt de-përshkallëzimit. Situata është e qetë tash e disa javë – konfirmuan dje bashkërisht PK-ja, KFOR-i dhe EULEX-i.Kosova po respekton plotësisht angazhimet e saj nga arrng. & beson se pala tjetër do të bëjë të njëjtën gjë”, ka thënë ai.
Për shkak të zhvillimeve në Veri që kaluan në tension që nga maji i këtij viti, Bashkimi Evropian ka marrë masa ndëshkuese ndaj Kosovës.