
Incidenti i javës së kaluar në Skenderaj, ku po atë natë u dërguan edhe njësitë speciale policore, u bë shkak për debat të ashpër në emisionin “Politiko” mes kandidatëve për deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Kandidati i Vetëvendosjes, Ilir Qeriqi, tha se Policia e Kosovës atë ditë kishte zhvilluar operacione edhe në qytete të tjera dhe mohoi se aksioni ishte i lidhur drejtpërdrejt me rastin në Skenderaj.
“Atë ditë policia ka pasur operacione edhe në qytete të tjera, nuk ka pasur vetëm në Skenderaj, por meqenëse ka ndodhur ajo, u kthye narracioni që kinse ka shkuar për çështje të Sami Lushtakut. Sidoqoftë, policia i kryen detyrat e veta në bazë të ligjit dhe askush nuk është mbi ligjin”, deklaroi Qeriqi.
Ndërkaq, ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, kundërshtoi deklaratën e tij, duke thënë se njësitë speciale nuk angazhohen për raste të zakonshme.
“Nuk është ‘sidoqoftë’. Njësitë speciale nuk angazhohen në rrahje, ato angazhohen në prishje të rendit me përmasa të mëdha”, tha Qalaj.
Pas kësaj, Qeriqi insistoi se njësia speciale nuk kishte shkuar për atë rast specifik, ndërsa Qalaj reagoi duke pyetur: “E për çka kanë shkuar?”.