
Ish-deputeti i LDK-së Naser Rugova e ka quajtur deklaratë “kuturu” dhe të papjekur, qëndrimin e kreut të kësaj partie Lumir Abdixhiku për mos-votimin e planit franko-gjerman në rast se ai do të shkoj në Kuvend për votim.
Rugova në Prime Time në Kanal10 për këtë ka përmendur edhe një zyrtar të lartë të LDK-së që sipas tij, bashkë me Abdixhikun nuk janë më në një linjë të qëndrimeve të përbashkëta me ShBA-të, transmeton Gazeta10.
“Unë dua të besoj që nga nesër LDK-ja do të jetë në vijë të plotë me SHBA-të të cilët janë më meritorët për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Nuk dua të besoj që dikush nga LDK-ja pas takimit të sotëm do të jep deklarata kuturu që s’janë në një vijë me SHBA-të. Deklaratë kuturu është ajo, kur kryetari i partisë dhe një zyrtar i lartë i partisë deklarojnë që s’do ta votojnë propozimin planin franko-gjerman. Kjo është deklaratë e papjekur dhe infantile. LDK pas takimit të ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier me kryetarin Abdixhiku kishte një deklaratë më të butë, më e matur dhe më diplomatike”, tha Rugova në Prime Time.
Ai ka shtuar se lidershipi i LDK-së nuk guxon të “lajthitet” ndaj seriozitetit dhe qasjes së SHBA-së që e kanë pasur përherë./Gazeta10