
Bujar Pllana e ka shënuar golin e parë me fanellën e skuadrës kroate, Slaven Belupo.
Ish-qendërmbrojtësi i Prishtinës realizoi gol me kokë në minutën e 65-t për barazimin e rezultatit në 2:2, në ndeshjen mes Slaven Belupos dhe Lokomotivës së Zagrebit.
Por, Pllana në minutën e 71-të shkaktoi penallti. Ai protestoi se nuk pati ndërhyrje në zonë, por gjyqtari nuk e ndryshoi vendimin.
Sulmuesi Duje Cop shënoi nga 11-të metra për Lokomotivën e Zagrebit, që fitoi 3:2 në udhëtim te Slaven Belupo në kuadër të xhiros së 25-t të elitës kroate të futbollit.
Pllana e kompletoi ndeshjen te vendësit. Lirim Kastrati u inkuadrua në minutën e 62-të, ndërsa Feta Fetai u zëvendësua në minutën e 75-t.
Te mysafirët në bankën rezervë ishte Dashmir Elezi.
Slaven Belupo pas 25 ndeshjeve të luajtura ka grumbulluar 27 pikë.
Lokomotiva e Zagrebit ka 33 pikë në vendin e pestë.