
Policia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar armët e përdorura në vrasjen e së martës te “4 Llullat”, një kallash, një armë zjarri e tipit TT dhe një armë zjarri COLT.
Në raportin 24 orësh thuhet se armët kanë qenë të fshehura në magjistralen Prishtinë-Mutivodë.
Policia thotë se është duke punuar intensivisht në hetimin dhe ndriçimin e rastit si dhe arrestimin e të dyshuarve.
“VRASJE E RËNDË NË BASHKËRYERJE&ARMËMBAJTJE PA LEJE- Rr. “Bajram Kelmendi-Rrustem Hyseni”, Prishtinë / 25.03.2025 – 22:25. Lidhur me rastin e datës së lartcekur Policia e Kosovës ka siguruar informacione se armët e përdorura në kryerjen e veprës penale të lartcekur gjenden të fshehura në magjistralen Prishtinë – Mutivodë. Lidhur me rastin në lokacion kanë dalë njësitë përkatëse policore dhe në konsultim me prokurorin e rastit kanë bërë sekuestrimin e tri armëve të zjarrit: një armë zjarri AK 47, një armë zjarri e tipit TT dhe një armë zjarri COLT. Policia e Kosovës po vazhdon të punojë intensivisht në hetimin dhe ndriçimin e plotë të rastit, si dhe sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar”.