Lajme

Policia për sulmin ndaj kanalit të ujit: Akt terrorsist, do ta përdorim gjithë asistencën e ndërkombëtarëve për hetim

Gazeta10
30 Nëntor 2024 - 8:33

Policia e Kosovës e ka quajtur akt kriminal terrorist shpërthimin e mbrëmshëm në Zubin Potok, që dëmtoi kanalin e ujit të Ibër Lepencit.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Policia ka thënë do të përdorë të gjitha aftësitë dhe asistencën nga komuniteti ndërkombëtar për të hetuar provat dhe për të gjetur personat përgjegjës.

Policia ka thënë se hetimet fillestare tregojnë se ekziston dyshimi i bazuar se sulmi ka qenë i qëllimshëm dhe i kryer me eksploziv.

“Nga Policia e Kosovës dhe institucionet kompetente, janë ndërmarrë masat e nevojshme të sigurisë, të ndalimit të rrjedhjes së ujit si dhe mundësisë së sanimit të kanalit të ujit. Njëkohësisht nga Policia e Kosovës, njësia për trajtimin e materieve eksplozive janë duke u kryer hetime intensive dhe ekzaminime në vendin e ngjarjes, nga të cilat është konstatuar se shpërthimi/detonimi ka qenë sulm i qëllimshëm, akt kriminal terrorist i kryer nga person/a të dyshuar”, thuhet në komunikatë.

Policia ka thënë se ka rritur masat e sigurisë në lokacionet sensitive dhe do të vazhdojë të punojë intensivisht drejt zbardhjes dhe ndriçimit të rastit, “për të cilin nga hetimet fillestare ekziston dyshimi i bazuar se sulmi ka qenë i qëllimshëm dhe i kryer me eksploziv nga individ apo grup kriminal, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale”.

“Së bashku, do të përpiqemi për të gjetur individët përgjegjës për këtë rast e edhe për sulmet tjera ndaj stacionit të policisë në Zveçan dhe ndërtesës së komunës”, është thënë në komunikatë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.