
Policia e Kosovës ka raportuar për disa raste të armëmbajtjes pa autorizim në Prishtinë dhe Podujevë, gjatë 26 tetorit.
Në fshatin Dumosh të Podujevës, rreth orës 00:04, gjatë kontrollit të një mashkulli kosovar, policia ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me karikator dhe gjashtë fishekë. Pas inicimit të rastit dhe konsultimit me prokurorin, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, në Stacionin Policor Veri në Prishtinë, një grua kosovare ka dorëzuar një pistoletë me një fishek, për të cilën ka thënë se i përkiste xhaxhait të saj të ndjerë. Arma është sekuestruar, ndërsa e dyshuara është liruar me vendim të prokurorit dhe rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt.
Në Prishtinë, rreth orës 22:20, është arrestuar një i mitur, mashkull kosovar, të cilit gjatë kontrollit i janë gjetur 11 fishekë të kalibrit 7.65 milimetra. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, ai është liruar në procedurë të rregullt.
Po ashtu, në rrugën “Ramë Govori” në Prishtinë, rreth orës 23:10, policia ka gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri me shtatë fishekë te një mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Të dhënat janë bërë të ditura në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.