Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Presidentja Osmani tha se Serbia duhet të përgjigjet për krimet e kryera

Gazeta10
30 Gusht 2022 - 12:36

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka shënuar Ditën Ndërkombëtare për të Zhdukurit duke bërë homazhe pranë obeliskut për personat e pagjetur ku edhe kanë theksuar nevojën që ndërkombëtarët të bëjnë trysni mbi Beogradin, raporton Gazeta10.

Presidentja Osmani ka thënë se Kosova po bashkëpunon me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian rreth çështjes së të pagjeturve por ka theksuar se Serbia nuk po e pranon propozimin e Kosovës.

“Besoj jemi në rrugë të duhur sepse Republika e Kosovës ka treguar jo vetëm konstruktivitet por edhe ka dhënë propozime konkrete të cilat kontribuojnë në këtë drejtim por kontribuojnë edhe për paqe dhe stabilitet afatgjatë. Në këtë drejtim kemi bashkëpunuar shumë afër me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, për fat të keq Serbia akoma nuk e ka pranuar këtë propozim por shpresojmë që me trysni ndërkombëtare që përfundimisht të arrihet kjo marrëveshja e cila do ta shtrinte rrugën drejt zbardhjes së fatit të të zhdukurve me dhunë”, ka thënë Osmani.

Osmani ka bërë thirrje që bashkë me komunitetin ndërkombëtar të rrisin angazhimin në mënyrë që Serbia të përgjigjet për krimet e kryera.

Ajo ka thënë se Serbia ka kryer krim të dyfishtë, duke vrarë dhe fshehur pastaj krimet në luftën e fundit në Kosovë.

“Edhe sot bëjmë thirrje që së bashku me komunitetin ndërkombëtar të rrisim angazhimin në mënyrë që Serbia përfundimisht të përgjigjet për krimet e kryera por edhe të tregojë vendndodhjen e qytetarëve tanë, më të dashurve tanë, për të cilët akoma nuk e dimë ku janë. Siç e dini në dialogun me Serbinë është prioritizuar çështja e të zhdukurve më dhunë dhe institucionet e Kosovës janë duke bërë të pamundurën në mënyrë që nëpërmjet këtij procesi përfundimisht Serbia t’i jep të gjitha të dhënat që do të na çonin deri tek zbardhja e fatit të zhdukurve me dhunë nga lufta e fundit në Kosovë”, ka thënë presidentja e vendit./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.