Kontaktoni

info@gazeta10.com

Sport

Prishtina del me komunikatë pas triumfit në Kupë, akuzon Plisat dhe FFK-në

Gazeta10
07 June 2023 - 16:45

Prishtina ditë më parë arriti të fitonte Kupën e Kosovës pas fitores 0-2 kundër Gjilanit.

Për skuadrën nga kryeqyteti ky ishte trofeu i parë pas dy viteve.

“Bardhekaltërit” të mërkurën kanë dalë me një deklaratë për media ku kanë folur rreth ndeshjes finale dhe mos licencimit për garat evropiane.

Tifozët e Prishtinës, Plisat, gjatë gjithë ndeshjes finale bënin thirrje kundër kryesisë së klubit dhe Prishtina përmes kësaj komunikate tha se klubi u ndje i tradhëtuar nga tifozët e tyre.

“Për Prishtinën, suksesi ishte jetik. Fatkeqësisht, tifozët tanë në tribunën jugore, jo që nuk përkrahen për asnjë minutë djemtë e ekipit, por ata as nuk qëndruar për t’i përshëndetur futbollistët apo për t’iu gëzuar triumfit. Kjo do të duhej të ishte primare për një grup tifozësh, nëse vetëm kanë harruar qëllimin për çka shërbejnë. Iu kemi dalë në ndihmë duke iu blerë bileta dhe duke iu financuar fishekzjarrët dhe koreografinë, por klubi u ndje i tradhëtuar”.

Tutje, Prishtina akuzoi edhe Federatën e Futbollit të Kosovës për moslicencimin e tyre për garat evropiane, duke thënë se te kjo situatë klubi nga kryeqyteti nuk është trajtuar me parime të njëjta si klubet tjera.

“Caktimi i ndeshjes për ditën e hënë, ditë e pazakonshme për një finale kupe, edhe bllokimi, mbase i qëllimshëm i shitjes së biletave, tentimet për përçarje të grupit tonë të adhuruesve, edhe moslicencimi i skuadrës, me parime të njëjta ashtu siç janë licencuar edhe Dukagjini, Llapi dhe Gjilani, janë vepra të aktorëve të njëjtë që fshihen nën ombrellën e FFK-së. Ne duam të ju njoftojmë që klubi ka dërguar ankesën për licencim në KAS të KOK-ut. Kemi fituar Kupën e Republikës, e cila na mundëson të luftojmë për të drejtën tonë për ta përfaqësuar vendin në garat e UEFA-së. Dhe nga kjo nuk do të heqim dorë lehtë”.

Pasi fitoi Kupën e Kosovës, Prishtina do të siguronte plasmanin në rrethin e dytë të Ligës së Konferencës, por mbetet të shihet nëse do të licencohet pas ankesës në gjykatën e arbitrazhit sportiv.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.