
Fjala përmbyllëse e Prokurorisë filloi të hënën, ku kryeprokurorja e specializuar, Kimberly West, kërkoi dënim unik me nga 45 vjet burgim për secilin nga katër të akuzuarit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Prokurori tha se të akuzuarit krijuan mjete dhe mohuan veprat e tyre penale në përpjekje për t’i gënjyer ndërkombëtarët.
“Kontributi i të akuzuarve duhet kuptuar përmes rolit të fortë kolektiv që kanë pasur ata si anëtarë kryesorë të Shtabit të Përgjithshëm. Ata gërshetuan staturat e tyre individuale dhe i përkthyen në diçka shumë të madhe. Rolet që kishin ishin në gjendje të shpërndanin qëllimin e përbashkët kriminal. Të emëronin anëtarë të NPK-së (Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale) në mjetet përkatëse, të koordinonin mjetet e tyre dhe mohuan veprat penale në përpjekje për t’i gënjyer ndërkombëtarët”, tha ai.
Sipas prokurorit, krimet që kanë kryer katër të akuzuarit janë kontribut i Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale.
“Krimet që kanë kryer janë kontribute të rëndësishme të NPK-së. Strukturat në të cilat kanë operuar në fakt tregon kontrollin që ka pasur gjithësecili prej tyre. Ajo që është thënë tashmë lidhet në fakt edhe me përgjegjësinë e tyre individuale”, tha ai.
Pas deklaratave përmbyllëse të Prokurorisë, pritet të vazhdohet me mbrojtësit e viktimave. Ndërsa, e mërkura është rezervuar për deklaratat përmbyllëse të mbrojtjes së Thaçit dhe asaj të Veselit, e që kjo e fundit do të vazhdojë edhe të enjten për tu pasuar më pas me Krasniqin.
Mbrojtja e Krasniqit do të përfundojë deklaratën e saj përmbyllëse të premten dhe pastaj do të vazhdojë ajo e Selimit.