
Raporti: Viola Korça
Me përplasje verbale e shtyrje me forcat e rendit, u shoqërua protesta e punëtorëve të Kosova Thëngjilli-t. Ata për herë të pestë protestuan para Ministrisë së Ekonomisë me kërkesën për t’u kthyer në vendet e tyre të punës. Anëtarët e bordit të kësaj ndërmarrje kanë thënë se janë rritur kërkesat për eksport të thëngjillit, por se një gjë e tillë nuk po u lejohet, shkruan Kanal10.
Shumë punëtorë të Kosova Thëngjillit bllokuan hyrjen e Ministrisë së Ekonomisë në shenjë pakënaqësie shkaku se kanë mbetur pa punë, ani se kanë kontrata.
Të revoltuar me situatën në të cilën gjenden, protestuesit tentuan të hynin me ngulm brenda objektit të kësaj ministrie, me qëllim që të takoheshin me ministren e këtij dikasteri, Artane Rizvanolli.
Megjithatë, takimi iu mundësua vetëm me zyrtarë të kësaj ministrie, por jo edhe me ministren Rizvanollin.
Në këtë protestë nuk munguan edhe përplasjet verbale me forcat e rendit.
Ndërsa drejtuesit e bordit të kësaj kompanie kanë thënë se me gjithë kërkesat e shumta për eksport të thëngjillit, një gjë të tillë nuk po mund ta bëjnë.
Nga përplasja mes protestuesve dhe policisë mbeti i lënduar një punëtor.
Nga Emergjenca i kanë thënë televizionit se pas dhënies së trajtimit mjekësor, i njëjti është liruar.
Kanal 10 ka provuar që të marrë përgjigje nga Ministria e Ekonomisë, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Kjo është hera e pestë që punëtorët e kësaj kompanie protestuan me kërkesën për kthim në punë. /Gazeta10