
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka deklaruar në emisionin “Politiko” në Kanal 10 se është pikërisht Qeveria e VV-së ajo që, sipas tij, i ka dhënë përgjigje Milan Radojçiqit.
Rrustemi tha se nuk mban përgjegjësi për faktin që, sipas tij, në qeveritë e mëparshme Radojçiqit i ishte hequr fletarresti dhe se ai ishte konsideruar si faktor i rëndësishëm për veriun e Kosovës.
“Është pikërisht Qeveria e VV-së që i ka dhënë përgjigje Radojçiqit. Unë nuk kam faj dhe përgjegjësi pse ju është hequr ndërkohë në qeveritë e mëparshme fletarresti dhe pse kanë bashkëpunuar e e kanë konsideruar si faktor të rëndësishëm edhe për veriun. Ka qenë deri në ardhjen e Vetëvendosjes”, tha Rrustemi.
Duke shpjeguar dallimin që, sipas tij, solli ardhja e Vetëvendosjes në pushtet, Rrustemi përdori në mënyrë ironike shprehjen “mbylli sytë”, duke iu referuar tolerimit të disa zhvillimeve në të kaluarën.
“Mbylli sytë para kësaj deklarate kundërkushtetuese dhe si kërcënim të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues. Mbylli sytë për strukturat paralele në veri, mbylli sytë për dinarin e Serbisë në Kosovë, mbylli sytë për bankat e Serbisë në Kosovë, mbylli sytë për targat e Serbisë në Kosovë”, u shpreh ai.
Rrustemi tha se këto veprime, sipas tij, janë arsyetuar më herët në emër të integrimit dhe qetësisë.
“Gjithmonë në emër të çkafit? Të integrimit, të qetësisë. Po çfarë integrimi të strukturave të Serbisë në Kosovë?”, deklaroi Rrustemi.
Ai theksoi se me ardhjen e Qeverisë Kurti kjo qasje ka ndryshuar dhe se, sipas tij, nuk ka më tolerim të njëjtë ndaj strukturave dhe veprimeve të Serbisë në Kosovë./Gazeta10