
Kryeministri Edi Rama ka thënë se Qeveria e Shqipërisë e mbështetë plotësisht Qeverinë e Kosovës në lidhje me situatën e krijuar në veri, raporton Gazeta10.
Gjatë prezantimit të Projektit të Portit të ri Tregtar të Durrësit, Rama ka thënë se Qeveria e Kosovës e ka të gjithë solidaritetin, mirëkuptimin dhe mbështetjen e Shqipërisë.
Në këtë ngjarje ka qenë i ftuar edhe Kurti por që kryeministri shqiptar ka thënë se ai nuk ka mundur të marrë pjesë, për shkak të situatës në veri.
“Dua të falënderoj edhe kryeministrin Kurti dhe kryeministrin Kovaçevski që nuk kishin mundësi të ishin këtu. Në rastin e kryeministrit të Kosovës e merrni vetë me mend se pamundësia është për situatën e krijuar së fundi në veriun e Kosovës. Republika e Kosovës ka të gjithë solidaritetin, mirëkuptimin dhe mbështetjen e Shqipërisë. Dua të falënderoj dhe Artanin (Grubi), zv/krymeministrin e Maqedonisë së Veriut dhe Liburnin (Ali) ministrin e Kosovës që na u bashkuan në këtë moment të rëndësishëm për ndërtimin e portit të ri tregtar të Durrësit”, tha Rama
Rama edhe të dielën përmes një postimi në Facebook ka dënuar dhunën ndaj Policisë së Kosovës dhe zyrtarëve të EULEX-it.
“Sulmet mbi EULEX-in janë të dënueshme pa asnjë ekuivok ashtu siç është i dënueshëm çdo akt dhune ndaj policisë së Kosovës. Rishfaqja e barrikadave në veri të Kosovës, bie ndesh me çdo ligj e çdo frymë dialogu e jo vetëm nuk zgjidh asgjë, po përkundrazi komplikon më tej çdo gjë!” – ka shkruar Rama në Tëitter të dielën./Gazeta10