
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se kanë vendosur që testimi i qarkores njëkahëshe të bëhet të premtën meqë është ditë me e ngarkuar, raporton Gazeta10.
Rama ka thënë se ka pasur edhe më herët testime por vetëm gjatë vikendit dhe për ta testuar qendrën.
Tutje, Rama ka thënë se në Prishtinë është duke u incizuar me dron për të parë se ku janë problemet në komunikacion.
“Kemi bërë dhe teste të mëparshme gjatë vikendit për ta testuar qendrën. Propozimet të cilat kanë ardhur si pjesë e testimeve për mobilitet, si pjesë e planit për testimin e mobilitetit ku e kemi bërë testimin të shtunën, të dielën, faktikisht kemi bërë për dy javë, ku para se të merret vendimi duhet që të testohet edhe gjatë javës. Kjo na tregon pikat e ndryshme ku janë pika që krijojnë probleme, pika që duhet të ndryshohen, me u transformuar për të krijuar një komunikim më të lirshëm për kryeqytetin, për këtë arsye normal që është dashur të testohet edhe gjatë javës. Gjatë ditës së sotme, e premtja që shumë herë është me e ngarkuara për ta shikuar ku kemi pasur probleme më të shumta, sot kemi informata të shumta prej të gjitha pikave të kryeqytetit, jemi duke “incinzuar” edhe me dron, kemi edhe ekipe në terren duke marrë informata se si po ecë trafiku dhe ku janë problemet”, foli ai.
Rama ka thënë se sot kanë informacione të sakta se ku janë problemet, ai ka thënë se ekipet janë në terren dhe se do të dalin me një raport final.
“Ne duhet të bëjmë testimet përveç atyre që i kemi bërë në aspektin e kompjuterëve duhet të bëhen edhe në terren sepse kemi një numër të madh me ditur dhe nga ku po vjen trafiku, sot kemi informata të sakta se ku janë problemet prej nga po krijohen problemet në mënyrë që të kemi këtë informatë për përmirësimin e gjendjes në trafik. Kemi paralelisht dhe projekte që i kemi dhe janë më se të nevojshme të rrugës A, rruga B e ndërlidhur me rrugën A, po ashtu edhe unazës së mesme që janë pjesë të procesit për transformim të kryeqytetit…Ekipet janë në terren normal që do të vijmë me një raport final në fund të eksperimentimit”, u shpreh ai.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se secili ndryshim ka edhe problemet e veta duke iu referuar tollovisë në trafik që është shkaktuar sot.
“Secili ndryshim ka impakt të madh, fillimit negativ derisa të krijohet pozitivi dhe për këtë arsye ndodhin këto gjëra, normal që një numër i madh i qytetarëve sot ka pasur probleme në trafik, mirëpo është e pashmangshme nëse ne duam të informohemi rreth lëvizjes të mirë dhe të lirë në kryeqytet, është e pamundshme që t’i bëjmë këto pa i bërë analizat e tilla në terren. Për këtë arsye kemi bërë dy të parat dhe kjo është një ditë e javës që ka qenë e nevojshme. Është ditë e premte, faktikisht ditë shumë e ngjeshur dhe kemi pasur probleme, faktikisht kemi pasur probleme të mëdha në mëngjes në kohën kur edhe gjatë komunikacioni,t edhe kur është normal lëvizja që ka qenë deri më tash, kemi pasur probleme të komunikacionit. Tani po kuptojmë se ku edhe kur po krijohet këto pika që krijojnë ndalesa në trafik. Një analizë që na hynë në punë në intervenimet e të ardhmes në ndërlidhjet e rrugëve që janë në planifikim të rrugëve të reja si vazhdimësi e rrugës A, të rrugës B dhe të rrugëve unazës së mesme dhe rrugëve të tjera që kemi prej periferive, pra ajo që vjen prej Fushë Kosovës, tjetra që vjen prej Podujevës, zonës së Gollakut nga Llukari. Të gjitha këto janë informata që na duhet për planifikim e mirëfilltë të kryeqytetit”, tha ai.
Po ashtu, Rama, ka thënë se në punë fillon në ora shtatë dhe për të nuk kishte problem, por pas orës tetë tollovia kishte filluar.
“Zakonisht filloj në ora shtatë, kështu që për mua nuk ishte problem por po e shoh që nga ora tetë kur i kemi të gjitha qytetarët që shkojnë në punë apo i dërgojnë fëmijët nëpër shkolla, është ajo kohë që ka shkaktuar tollovinë më të madhe. Kur erdha këtu vetëm desha ta provoj në orën 10 ishte liruar, mirëpo janë dy pika kyçe atje te lidhja me Santen, e cila është problematike për arsye që ndërlidhet trafiku njëkahor dhe dykahor edhe janë pikat tjera që tashmë jemi në analizë e sipër për të parë se ku po shkaktohet problemi me trafiku”, tha ai. / Gazeta10