Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Ramiz Lladrovci pa avokat dhe shkresa të lëndës, ndërpritet gjykimi për kanosjen ndaj tij

Gazeta10
24 July 2024 - 15:37

Me kërkesë të të dëmtuarit Ramiz Lladrovci, është ndërprerë seanca e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Muhamet Ajazi po akuzohet se në vitin 2021 gjatë fushatës elektorale kishte kanosur Lladrovcin, tani kryetar aktual i Komunës së Drenasit.

Lladrovci, në fjalën e tij hyrëse në cilësinë e të dëmtuarit deklaroi se qëndron pranë parashtresës së dorëzuar në seancën e kaluar (14 qershor 2024) në të cilën nuk kishte marrë pjesë, ku kishte theksuar se qëndron prapa deklarimeve të dhëna në Polici dhe Prokurori, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Në cilësinë e të dëmtuarit, unë nuk kam me shtu asnjë gjë sepse e keni parashtresën time, mbes pranë parashtresës së dorëzuar në gjykatë dhe kërkoj nga gjykata që të marrë vendimin sipas ligjit për kanosjen e kandidatit, në këtë rast kandidatit për kryetar komune”, tha Lladrovci.

Por kur erdhi radha që i njëjti të dëgjohet si dëshmitar, Lladrovci tha se po të ishte në dijeni se e ka edhe cilësinë e dëshmitarit, do të angazhonte një avokat. Po ashtu, tha se nuk posedon asnjë shkresë të kësaj lënde.

Për këtë arsye, ai kërkoi që seanca e sotme të ndërpritet që të ketë mundësi që në seancën e radhës të angazhojë avokatin si dhe të pajiset me shkresat e lëndës.

Ky propozim nuk u kundërshtua nga prokurorja Fitore Sadikaj, e as nga i akuzuari Ajazi dhe mbrojtësi i tij, avokati Ibrahim Shala.

Në këtë rrethana, seanca e sotme u ndërpre, ndërsa gjykatësja e rastit Alltën Murseli e obligoi Prokurorinë që të dëmtuarin-dëshmitarin Lladrovci ta pajisë me shkresat e lëndës.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.