
Tridhjetë e gjashtë vjet pasi Argjentina mundi Gjermaninë në finalen e Kupës së Botës të vitit 1986, fanella që Maradona veshi në pjesën e parë i është dorëzuar përsëri Federatës Argjentinase të Futbollit (AFA).
Ish-mesfushori i Gjermanisë, Lothar Matthäus, i cili kishte ndërruar fanellat me Maradonën në pjesën e parë, ia dhuroi atë popullit argjentinas.
Një tjetër fanellë e Maradonës, të cilën argjentinasi e veshi kur shënoi golin “Dora e Zotit” kundër Anglisë në çerekfinalen e Kupës së Botës 1986, u shit për 7.1 milionë dollarë në fillim të këtij viti.
Ajo fanellë u nxor në ankand nga ish-mesfushori i Anglisë, Steve Hodge.
Por pavarësisht shumës astronomike që mori fabella e “Dorës së Zotit”, Lothar Matthäus tha për “Daily Mail” se nuk e kishte menduar kurrë ta vendostë në ankand fanellën e tij të Maradonës.
Matthäus ia prezantoi fanellën popullit argjentinas në një ceremoni në ambasadën argjentinase në Madrid në gusht, duke thënë se “Diego është një zot në Argjentinë, prandaj ishte e veçantë t’u jepja atyre fanellën”.
“Sa keq që ai nuk është këtu sot,” tha Matthäus për Maradonën, i cili vdiq nga një sulm në zemër në vitin 2020. “Diego do të jetë gjithmonë i pranishëm në zemrat tona.”, shtoi ai.
Fanella u ekspozua në “Legends”, një muze që tregon pjesë historike të futbollit në Madrid, përpara se të kthehej në Argjentinë nga koleksionisti Marcelo Ordás të mërkurën.