
Kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri, ka thënë se është momenti i fundit që Qeveria ta kthejë vëmendjen tek Policia e Kosovës dhe t’ua plotësojë kërkesat policëve. Në të kundërt, Zeqiri, tha se do të ketë protesta e ikje të profesionistëve policor. Vetëm këtë vit, sipas të dhënave të sindikatës rreth 50 policë kanë lëshuar punën.
Sindikata e Policisë së Kosovës, ka paralajmëruar protesta dhe ikje të profesionistëve policorë si shkak i mos plotësimit të kërkesave të tyre.
Imer Zeqiri, kryetar i Sindikatës së Policisë, tha se vetëm gjatë këtij viti rreth 50 policë e kanë lëshuar punën, duke përmendur se pakënaqësia është kolektive për një mori çështjesh.
Një ndër pakënaqësitë e përmendura është se më shumë se gjysmë viti policëve nuk po u paguhet shtesa për rrezikshmëri.
Përveç kësaj, Zeqiri shtoi se Policia e Kosovës është e vetmja polici në botë pa sigurim shëndetësor.
Zeqiri tha se kanë dërguar ankesë edhe te Avokati i Popullit sa i përket Ligjit të ri të Pagave.
Dëmtimin me Ligjin e ri të Pagave në institucionin policor të Kosovës, Zeqiri tha se nuk e kanë pritur.
Teksa tha se Kosova ka policinë më të vjetër në rajon, ai ka kërkuar që të miratohet Ligji i Pensionimit, që policët të dalin në pension në moshën 55 vjeçare, si dhe të kenë një pension më të mirë sesa ai i zakonshmi.
Sipas Zeqirit si arsye shtesë se pse policët po e lëshojnë vendin e tyre të punës janë edhe mos pagesa e shujtës, udhëtimeve zyrtare apo shpërblimeve në fund vit.
Për Zeqirin, kjo është jashtëzakonisht shqetësuese dhe sipas tij më së shumti nga ikja e policëve dëmtohet vendi dhe vetë institucioni./Gazeta10