Gjykimi Special

“Rreziku për t’u arratisur” – Smakajt dhe Fazliut i refuzohet kërkesa për lirim me kusht, mbesin në paraburgim

Gazeta10
08 Dhjetor 2024 - 16:49

Ish-Drejtorit te AKI-së Bashkim Samkajt dhe Fadil Fazliut sot u është refuzuar kërkesa për lirim me kusht dhe si rrjedhojë u urdhërua që të i caktohet masa e paraburgimit për dy muaj.

Ky urdhër u dha sot gjatë seancës për paraqitjen e parë nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot.

Gjyqtarja konstatoi se asnjë prej argumenteve të ngritura nga ana e mbrojtjes nuk qojnë në ndryshimin e konstatimeve të saj në vendimin për arrestimin e Smakajt dhe se rrethanat familjare të Smakajt në Kosovë nuk e ulin rrezikun e tij për t’u arratisur.

Për Smakajn mbrojtja kërkoi lirimin me kushte, duke ofruar edhe shumën prej 5 mijë euro, por kjo nuk e bindi gjytarën të mos e caktojë masën e paraburgimit.

Avokati, Michiel Pestman tha se Smakaj është i gatshëm të dorëzojë pasaportën e tij dhe të raportoj tek EULEX-i e po ashtu të respektojë të gjitha kushtet që mund të dalin nga vendimi i gjyqtares në rast që aprovohet kërkesa.

“Gjithashtu kemi një kërkesë të lirimit me kusht. Klienti im është i gatshëm që të ofroj një vlerë prej 5 mijë euro si garanci, të dorëzojë pasaportën e tij në Kosovë, t’i raportoj EULEX-it sipas rregullave që keni ju dhe t’i respektoj të gjitha kushtet e tjera që do t’i caktonte gjykata nëse do të merrej parasysh kjo kërkesë. Pra, kërkojmë lirimin me kusht nga ana e mbrojtjes”, tha ai.

E njëjta gjë ndodhi edhe me Fadil Fazliu, ku mbrojtja e tij kërkoi lirim me kusht edhe ofroi shumën prej 2 mijë e 550 euro dorëzani, kërkes kjo që nuk u mor parasysh nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Masselot.

Fillimisht ajo tha e se asnjë prej argumenteve të mbrojtjes nuk e ndryshojnë konstatimin e saj që ka bërë në vendimin për lëshimit e urdhrit për arrestimin e Fazliut , raporton Sinjali.

“Pasi shqyrtova të gjitha argumentet, konstatoj se asnjë nga argumentet tuaj, avokat mbrojtës nuk ndryshojnë vlerësimin që kam bërë unë të parashikuara në nenin 41 (6) të ligjit që këto kushte përmbushen. Unë kam dhënë pra vendimin tim dhe në bazë të se cilit është bërë arrestimi… duke mos pasur argumente të tjera konkrete, nuk jam e bindur se nuk ka prova që mbështesin konstatimin e nenit 41 (6) të Ligjit”, tha gjyqtarja.

Avokati i Fazliut, Michiel Pestman tha se klienti i tij ka frikë që ta humbas vendin e tij të punës në qoftë se mbahet gjatë në paraburgim.

“Klienti im është arrestuar gjersa po bëhej gati të shkojë për punë. Punon si koordinator për zyrën qendrore të zyrës së furnizimit me energji elektrike në Prishtinë. Kjo është një institucion qeverisës i shtetit, është kompani e furnizimit me energji. Po iu them këtë sepse është e rëndësishme sepse pret dhe ka frikë që do ta humbas vendin e punës në qoftë se mbahet në paraburgim për një kohë të gjatë”, tha ai.

Avokati tha se Fazliu është ‘peshk i vogël’ në këtë hetim.

“Gjithashtu u habita sot në mëngjes kur me thanë që jo të gjithë të akuzuarit në këtë çështje dhe po flas për një çështje të madhe që do të na merr kohë sot edhe nesër, u habita kur me thanë që jo të gjithë të akuzuarit janë arrestuar. Disa prej tyre, të paktën njëri prej tyre i është dhënë fletëthirrja për paraqitje në gjykatë dhe nuk e di pse në këtë rast është konstatuar si e mjaftueshëm dorëzimi i një fletëthirrje. Ndërsa, në rastin e klientit tim të arrestohet. Nuk duhet të jem i pasjellshëm, nuk dua të irritoj klientin tim por ai është një peshk i vogël në këtë hetim”, tha avokati Pestman.

Ndërkaq, prokurori i rastit tha se të gjitha kushtet për caktimin e paraburgimit ndaj Fazliut tashmë janë përmbushur.

Ai tha se konstatimet e gjyqtares në urdhrin për arrestim janë të sakta lidhur me përmbushjen e kushteve.

Ndërsa, sa i takon fjalës së avokatit për ‘peshk i vogël’ prokuroi ju referuar një konstatim të gjyqtares e cila kishte thënë se nuk ka peshk të vogël kur ka përpjekje për të ndikuar tek dëshmitarët sidomos ndaj atyre që Thaçi tashmë i ka quajtur si vendimtar në çështjen e tij për krime lufte.

“Fazliu është akuzuar se ka përfshi edhe djalin e tij në këto veprime dhe kjo ka të bëjë me aftësinë-ndikimin në gjykimin…”, tha prokurori.

Gjatë ditës së sotme para trupit gjykues doli edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçit të cilit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë e cila pritet të mbahet të hënën me 9 nëntor.

Ndërkaq, paraqitja e Isni Kilajt para trupit gjykues është shtyrë për të hënën.

Kështu është bërë e ditur nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke njoftuar se të hënën, seanca pritet të zhvillohet me fillim nga ora 13:00.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.