
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka folur edhe për çështjen e shtetësisë së dytë gjatë paraqitjes së tij në emisionin “Adresa”, duke theksuar se kjo e drejtë për komunitetin serb është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk mund të ndryshohet përmes një ligji.
Sipas Rrustemit, dispozitat kushtetuese që garantojnë shtetësinë e dyfishtë për serbët ekzistojnë prej kohësh dhe nuk lidhen me ndryshimet e fundit ligjore.
“Serbët e kanë shtetësinë e dyfishtë të garantuar me Kushtetutë prej moti. Kushtetutën nuk mund ta ndryshosh me ligj”, deklaroi ai.
Rrustemi shtoi se ndryshimet e bëra në ligj kanë sjellë një efekt pozitiv, ndonëse sipas tij kjo nuk është pranuar nga kundërshtarët politikë.
“Ne kemi mundur ta fshijmë krejt atë nen nga ligji dhe efekti do të ishte sërish i njëjtë, sepse ata e kanë këtë të drejtë të garantuar me Kushtetutë”, u shpreh deputeti i VV-së.