
Anëtari i bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Naim Sadiku ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë që të merren seriozisht me rastin e Klan Kosovës.
Ai në protestën e sotme të mbajtur kundër vendimit të MINT-it, ka thënë se këtë vendim e shohin si veprim të qëllimshëm politik.
“Ne kemi shprehur pakënaqësinë për vendimin e MINT-it për largimin e licencës së televizionit Klan Kosova duke e parë si një vendim të qëllimshëm politik dhe si ndërhyrje në punën e mediave dhe lirinë e shprehjes në Kosovë.”, tha ai.
Kryeredaktori i Kanal10, ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë që ta trajtojnë këtë çështje në mënyrë të drejtë dhe me seriozitet.
“Gazetarët janë përballur me një fushatë të egër të partisë në pushtet dhe ne në këtë kohë denoncojmë këtë gjuhë ndaj mediave. Si AGK, kërkojmë nga gjykata që ta trajtojë rastin e Klan Kosovës në mënyrë të drejt, duke mos u ndikuar nga politika”, tha Sadiku./Gazeta10