
Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimore “Safe Journalists”, sot ka reaguar për gjuhën e përdorur nga Blerim Vela, shef i stafit të Presidentes së Kosovës ndaj raportimit të Gazeta 10 dhe Kanal 10.
“Rrjeti SafeJournalists, i cili përfaqëson më shumë se 8200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, dënon këtë lloj retorike drejtuar gazetarëve nga pushtetarët. Rrjeti u bën thirrje politikanëve që të përmbahen nga sulmet verbale ndaj gazetarëve, sepse si pasojë e sulmeve të tilla gazetarët shpesh bëhen cak i kërcënimeve dhe fyerjeve nga qytetarët e tërbuar dhe ndonjëherë ndodhin incidente fizike,” thuhet në reagimin e “Safe Journalists”, raporton Gazeta10.
Ky komunikim erdhi si mbështetje e AGK-së e cila e ka konsideruar si të rrezikshme dhe të papranueshme gjuhën e Velës, për të cilën thuhet se nuk e ka për herë të parë.
Vela të enjten në Twitter ka drejtuar akuza ndaj Gazeta 10 dhe Kanal 10 duke thënë se e “kanë plotësisht të qartë se dezinformatat dhe propaganda që bëhet gjoja duke u thirrë “në burime brenda Gjykatës”, janë pjesë e luftës speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi dhe të realizuar përmes kriminelëve të veriut dhe sekserëve të tyre, të cilët ndodhen në listën e zezë të ShBA-ve”.
E gjithë kjo erdhi si rrjedhojë e raportimit të Gazeta10 për mundësinë e rrëzimit të Presidentes Osmani për shkak të një vendimi të mundshëm të Gjykatës Kushtetuese që ka gjetur se dy deputetë të komuniteteve jo-shumicë që morën pjesë në zgjedhjen e presidentes kanë fituar mandatet në mënyrë të paligjshme.
Deri tek rasti në Kushtetuese erdhi pas ankesës që kanë bërë deputetët e komunitetit jo-shumicë që nuk arritën të fitojnë mandatat e deputetit./Gazeta10