
Nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala ka deklaruar për Gazetën10 se janë në pritje të afatit ligjor deri më 5 tetor, që Qeveria e Kosovës t’i ekzekutojë pagat për mësimdhënësit grevist.
“Ne presim deri më datën 5 tetor, është afati ligjor dhe pas kësaj date do të flasim edhe me anëtarësinë edhe te shohim”, tha Shala.
Shala është shprehur e bindur se ekzekutivi nuk ka arsye të mos i ekzekutojë rrogat e mësimdhënësve grevist.
“Nuk të flasim asgjë. Po presim deri nesër, ne po shpresojmë që do të bëhet ekzekutimi i pagave nesër për të gjithë mësimdhënësit. Meqë edhe ligjërisht është e drejtë, pavarësisht grevës”, shtoi ajo për Gazetën10.
Ndërkohë, gjatë ditës ka qenë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se komunat ende nuk i kanë dërguar listat e pagave në Thesar.
Por, kjo deklaratë e ministres është përgënjeshtruar nga kryetarët e komunave, që sipas tyre listat me emrat e mësimdhënësve tashmë janë dërguar.
E, Qeveria e Kosovës ka thënë se nuk do të ketë paga për ata që nuk kanë punuar./Gazeta10