
Krerët e komunave me shumicë serbe si dhe deputetët e Listës Serbe që janë mbledhur në një takim në Zveçan, kanë shpallur një deklaratë 6-pikëshe, raporton Gazeta10.
Në deklaratën e tyre thuhet se ata i ofrojnë mbështetje të plotë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për t’i përfaqësuar interesat e tyre.
“Në emër të qytetarëve të komunave tona, ne ofrojmë mbështetjen tonë të plotë për Presidentin e Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që përmes dialogut të gjejë një zgjidhje kompromisi, të qëndrueshme dhe afatgjatë për problemin e targave dhe kartave të identitetit. në 7 ditët e ardhshme, në përputhje me interesat e qytetarëve tanë duke ruajtur paqen, stabilitetin dhe sigurinë”, thotë pika e parë e dokumentit.
Tutje, ata kanë kërkuar themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe sepse sipas tyre “është obligim që Kosova ia ka Bashkimit Evropian”.
Më pas si pikë e tretë kërkohet nga KFOR-i që ta garantojë sigurinë e serbëve të Veriut.
Më tej, ata kanë kërkuar nga bashkëqytetarët e tyre të mos bien pre e vendimeve të njëanshme të Kurtit.
“Ftojmë bashkëqytetarët që të mos bien në grackën e vendimeve të njëanshme dhe ofertave joshëse të Albin Kurtit për targa dhe dokumente personale, sepse kjo nuk është në përputhje me marrëveshjen e Brukselit, për më tepër Prishtina po e përdor këtë çështje si fillimi i llogarisë përfundimtare me popullin serb dhe Serbinë në këto zona”, thotë pika e katërt.
Në pikën e pestë të deklaratës që ata kanë nxjerrur thuhet se, përfaqësueit e këtyre komunave “mbrojnë interesat e popullit serb”.
E në pikën e fundit paralajmërohet dalja nga institucionet e Kosovës në rast se nuk gjendet kompromisi deri më 1 shtator. /Gazeta10