
Raporti: Egzona Shala
Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, ka thënë se Serbia ka shtuar disa paragrafë në dokumentin për të pagjeturit, i cili pretendohet të nënshkruhet nga palët në kuadër të procesit të dialogut. Sipas Hotit, ky draft është i papranueshëm, pasi Serbia po shton paragrafë të rinj me qëllim që të prolongojë këtë proces. E nga shoqata “Thirrjet e nënave” kanë bërë thirrje që Kosova mos të dorëzohet në tavolinën e dialogut dhe t’i përmbahet qëndrimeve të tyre.
Dokumentit për personat e zhdukur me forcë gjatë luftës së fundit në Kosovë, shteti serb ia ka shtuar edhe disa paragrafë.
I njëjti po pretendohet të nënshkruhet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Mirëpo, me këtë paragrafë nuk po pajtohet kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti.
Ai ka thënë se një draft i tillë nuk do të pranohet nga pala kosovare, derisa është shprehur se Serbia po shton paragrafë të rinj me qëllim që të prolongojë këtë proces
Hoti ka deklaruar se ky dokument me kërkesat e reja të Serbisë, e largon fokusin prej personave të zhdukur.
Ndërsa, ai ka shtuar se hapja e arkivave në Beograd, do të lehtësonte procesin e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur.
Ndërsa, refuzimin e këtyre paragrafëve e ka kërkuar edhe Nysrete Kumnova nga shoqata “Thirrjet e nënave” në Gjakovë.
Ajo ka bërë thirrje që Kosova mos të lëshojë pe në tavolinën e dialogut pasi ndryshe ka paralajmëruar protesta.
Një përpjekje për të nënshkruar një deklaratë për të pagjeturit ishte bërë edhe në gusht të vitit 2022, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por që teksti nuk ishte nënshkruar nga pala serbe. / Kanal10