
Raporti: Viola Korça
Presidentja e vendit Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti nuk kanë dhënë detaje lidhur me rikthimin e zyrave të MUP-it serb në veri, por që sipas tyre, ka pasur lëvizje me direktiva të Beogradit, raporton Gazeta10.
Derisa, njohës të çështjeve të sigurisë kanë thënë se Kosova duhet të jetë e vëmendshme për të mos lejuar rikthimin e këtyre zyrave në veri të vendit.
Autoritetet kosovare nuk kanë dhënë shumë detaje për raportimet e rikthimit të zyrave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në veri të Kosovës.
Për këtë, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se ka ftuar në takim institucionet e sigurisë, për të marrë informata lidhur me një çështje të tillë.
Por, për shkak të informacioneve të klasifikuara, ajo ka thënë se nuk mund të japë më shumë detaje.
Për rikthimin e zyrave të MUP-it serb në veri të vendit, ka folur edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, për çka ka thënë se institucionet e Kosovës do të jenë të vëmendshme në veprimet e tyre.
Kurse, njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të jenë të vëmendshme, duke mos lejuar në asnjë formë rikthimin e funksionimit të këtyre zyrave në veri të vendit.
Zyrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në veri të Kosovës janë mbyllur në vitin 2013, pas marrëveshjes se arritur në mes të Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e raporteve në mes të dy vendeve.
Pas kësaj, pjesëtarët e tyre ishin inkuadruar në institucionet e Kosovës, ashtu siç parashihte edhe marrëveshja, deri në fund të vitit të kaluar, që pas zhvillimeve në veri, ata kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre. /Gazeta10/