
Raporti: Gresa Bardhecaj/Kanal10
Këtë mesnatë hyn në fuqi vendimi i Qeverisë me anë të cilit serbët që jetojnë në Kosovë do të kenë afat dy muaj për të zëvendësuar tabelat ilegale të automjeteve të cilat janë lëshuara nga Serbia me ato të Republikës së Kosovës. Në anën tjetër të kufirit, Serbia ka vendosur tabelat për të treguar se me marrëveshjen për dokumente, nuk ka njohur pavarësinë e Kosovës, shkruan Kanal10.
Vetura me targa të tilla, që qarkullojnë në pjesën veriore të vendit, e që janë ilegale, për pak kohë pritet që të zëvendësohen.
Qeveria u ka dhënë afat dy muaj, banorëve serbë të Republikës së Kosovës, që të largojnë tabelat e lëshuara nga Serbia.
Ashtu edhe siç është paralajmëruar, në anën serbe të kufirit në Jarinjë, janë vendosur njoftime në të cilat thuhet se përdorimi i kartave të identitetit nuk nënkupton njohjen e Pavarësisë së Kosovës.
“Mundësimi i përdorimit të kartave të identitetit të lëshuara nga Prishtina bëhet ekskluzivisht për arsye praktike, lehtësim të jetës së individëve dhe për të mundësuar lirinë e lëvizjes në përputhje me Marrëveshjen për Lirinë e Lëvizjes të arritur në vitin 2011- nuk mund të jetë e interpretuar si njohje e pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme nga Kosova, nuk përcakton statusin përfundimtar të Kosovës dhe as nuk mund të interpretohet si heqje dorë nga Beogradi nga të drejtat që i janë dhënë me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në tabela.
Një ditë para hyrjes në fuqi të vendimit, në afërsi të pikës kufitare, vazhdojnë të qëndrojnë Njësia Speciale e Kosovës dhe KFOR-i amerikan.
Shqiptarët që jetojnë në veri të vendit presin që vendimi për ndërrimin e tabelave të përkrahet nga komuniteti serb që jetojnë në këtë pjesë të vendit, pasi ka shumë të tillë që tashmë veçse e kanë bërë.
Vendimi për moslejimin e përdorimit të tabelave me akronimet e qyteteve kosovare të përdorura para luftës, ishte paraparë që të hynte në fuqi më 1 gusht, por se i njëjti u shty pas trazirave të shkaktuara nga serbët e veriut dhe pas kërkesës së bashkësisë ndërkombëtare, në drejtim të Qeverisë së Kosovës. /Gazeta10