
Raporti: Bleona Dallaveraj/Kanal10
Deputetë të partive opozitare kanë paralajmëruar rritje të çmimit të energjisë gjatë muajve të dimrit, si pasojë e krizës energjetike. Ata kanë kritikuar ekekutivin se nuk ka asnjë strategji për t’u përballur me krizën, derisa thonë se në mungesë të saj, shtrenjtimi i energjisë do të jetë i pashmangshëm. Se do të ketë shtrenjtim të energjisë gjatë muajve të ardhshëm, nuk e kanë mohuar as partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, shkruan Kanal10.
Në kohën kur po paralajmërohet dimër i vështirë, për shkak të krizës energjetike, deputetë të opozitës kanë ngritur shqetësime se qeveria nuk ka asnjë strategji për t’u përballur me të, derisa kanë thënë se ngritja e çmimit të energjisë do të jetë e pashmangshme.
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Ferat Shala ka thënë se qeveria nuk ka ndërmarrë ende asnjë hap për parandalimin e shtrenjtimit të energjisë, ndonëse sipas tij, kriza do të thellohet gjatë muajve të dimrit.
Ai ka thënë se Kosova ka pasur strategji për përballjen me krizën energjetike, por që të njëjtën e ka hedhur poshtë Qeveria Kurti.
Se do të ketë ngritje të çmimeve të energjisë elektrike, nuk e kanë mohuar as nga partia në pushtet.
Ndonëse, nga e njëjta kanë thënë se do të ketë vlerësim real të gjendjes, dhe se ngritja e çmimit nuk do të ndodhë menjëherë.
Shtrenjtim të çmimit të energjisë elektrike kërkoi një ditë më parë edhe kryesuesi i Bordit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Skënder Haziri.
Ai ka thënë se ngritja e çmimit të energjisë është e nevojshme për të pasur investime dhe sistem të qëndrueshëm energjetik në vend.
Ndërkaq, përkundër paralajmërimeve për shtrenjtim të energjisë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli nuk ka pranuar të përgjigjet në pyetjet e televizionit./Gazeta10