
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka folur për marrëveshjen e Washingtonit, e cila ishte arritur më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan Donald Trump.
Hoti ka deklaruar se gjithçka para dhe pas nënshkrimit të marrëveshjes ka qenë transparente për publikun.
Ai ka thënë se ka qëndruar edhe pas nënshkrimit në zyrën e presidentit të atëhershëm Donald Trump dhe se bisedat me të kanë qenë të përgjithshme.
“Nënshkruhet marrëveshja, jepen deklarimet për medie. Pala serbe largohet nga zyra. Unë vazhdoj të qëndroj në zyre. Bisedat kanë qenë protokolare, të përgjithshme”, ka thënë Hoti.
Megjithatë, Hoti ka theksuar se më i përfshirë në takim me Trumpin ka qenë emisari Richard Grenell.
“E mirë është që krejt takimi jonë në zyrën ovale ka qenë pothuajse publike. Ka qenë plotësisht e hapur. Grenell ka qenë më i involvuar”, ka thënë ai në “Politiko” me Kushtrim Sadikun.
Ndryshe, kryeministri i atëhershëm, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishin nënshkruar marrëveshje për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. /Gazeta10/