
Nga Vlora ku mori pjesë në ceremoninë e ngritjes së Flamurit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka shmangur komentet për aktualitetin politik.
Kurti tha se sot është dita që të gjithë të jemi bashkë.
‘Ishte kënaqësi që të ndjekim ekspozitën e kuruar me shumë kujdes dhe pasion nga Evi Pojaini me piktorë vlonjat pastaj të shohim edhe përmbledhjen filatelike, ndërsa në hyrje janë edhe dokumente historike të komunitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës. Gëzuar gjithë shqiptarëve 28 nëntorin këtë festë të madhe të flamurit. Për të gjithë shqiptarët kudo që janë në Ballkan. Lavdi Dëshmorëve të Kombit. Nuk është sot dita që të flasim për dallimet politike, për polemikat aktuale sot jemi bashkë, shqiptarët e kanë të përbashkët historinë dhe ardhmërinë. Kemi shumë ditë të tjerë gjatë vitit për këto tema.’- tha Kurti.
Dita e Flamurit ka bërë bashkë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe atë të Shqipërisë, Edi Rama në organizimin në Vlorë.
Vlora mikpriti, qindra qytetarë, në ceremonialin shtetëror të ngritjes së Flamurit, nën tingujt e himnit kombëtar dhe me praninë e personaliteteve më të larta politike të Shqipërisë dhe Kosovës, të cilët nderuan aktin e lartë kombëtar të shpalljes së pavarësisë.
Të pranishëm në ceremoninë simbolike të ngritjes së flamurit kuqezi në Vlorë kanë qenë të pranishëm edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dhe kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla.