Sport

Suhareka, ekipi i vetëm i pamposhtur në Superligë

Gazeta10
25 Shtator 2024 - 14:18

Kur kanë kaluar gjashtë xhiro të sezonit 2024/25 në Superligën e Kosovës, është vetëm një skuadër që deri më tani nuk njeh humbje.

 

Kjo skuadër është Suhareka, klubi i promovuar këtë edicion në elitën e futbollit kosovar.

 

I themeluar vetëm dy vite më parë, klubi nga Theranda ka qenë shembull i organizimit në Kosovë.

 

Para fillimit të kampionatit, Suhareka angazhoi si shef të shtabit tenik trajnerin e mirënjohur shqiptar, Shpëtim Duron.

 

Deri më tani nën drejtimin e Duros, Suhareka ka arritur katër fitore dhe një barazim.

 

Barazimi erdhi në xhiron e parë të kampionatit, ku në stadiumin “Fadil Vokrri” barazoi pa gola me Prishtinën.

 

Fitoja e parë në Superligë për Suharekën erdhi para adhuruesve të vet, në përballjen kundër Dukagjinit.

 

Kjo sfidë përfundoi me shifrat 3-1.

 

Në shtëpi Suhareka arriti edhe fitoren tjetër, kësaj radhe kundër Gjilanit me rezultat 3-2.

 

Ferizaj dhe Feronikeli ’74 ishin kundërshtarët e radhës që u mposhtën nga skuadra e Shpëtim Duros që është lider në Superligë me një ndeshje më pak të zhvilluar.

 

Në xhiron e ardhshme, Suhareka do të luajë kundër Llapit të Tahir Batatinës në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.