Lajme

Sulmi në Ibër-Lepenc, edhe nga dy muaj paraburgim për vëllezërit Viqentijeviq

Gazeta10
08 Janar 2025 - 16:09

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për nga dy muaj, Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq, të dyshuar për sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.

Kështu ka konfirmuar zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës të datës 23.12.2014 për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve J.V. dhe D.V., Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 27.12.2024 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurve J.V. dhe D.V., iu vazhdohet në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, për secilin”, tha ajo.

Sipas Dosjes së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Jovan Viqentijeviq dyshohet se bashkë me vëllanë e tij, Dragisha Viqentijeviq me qëllim kanë dëmtuar pajisjen e ujësjellësit dhe kanë kryer veprën terroriste, duke përdorur eksploziv.

Ndryshe, shpërthimin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të Zubin-Potokut, i cili dyshohet se u bë me rreth 20 kilogramë eksploziv, autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar si sulm terrorist dhe se përgjegjëse thanë se është Serbia.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.