
Shënimi i golit është një nga ndjenjat më të mira që një lojtar mund të përjetojë në fushën e lojës.
Sidomos, nëse shifra e golave të shënuar kalon në dyshifror.
Në Superligën e Kosovës jo shumë sulmues kanë arritur këtë sukses, as për 33 e as për 36 ndeshje.
Në përfundim të stinorit vjeshtor të sivjetëm janë luajtur 18 ndeshje.
Listës së golashënuesve i prin Muhamet Hyseni me 13 gola të shënuar me skuadrën e Llapit.
Le të kthehemi pakëz në kohë, e të shohim top 10-shen e lojtarëve që kanë shënuar më së shumti gola deri në përfundim të stinorit vjeshtor.
Lista e plotë:
Listës i prin Mirlind Daku. Ai sa ishte pjesë e Ballkanit në sezonin 2020/21 pas 18 paraqitjesh shënonte 21 gola në Superligë, madje atë sezon theu rekordin e golave të shënuar për një sezon të Superligës.
Muhamet Hyseni (2023/24) zë vendin e dytë, i cili pas 17 paraqitjesh në Superligë këtë sezon ka shënuar 13 gola me fanelën e Llapit.
Gerhard Progni (2021/22) shënonte 12 gola në 18 paraqitje me skuadrën e Gjilanit, në atë sezon që skuadra e tij shpallej kampione vjeshtore.
Marko Simonovski (2022/23) dërgonte topin në rrjetë në 11 raste. Për ta arritur këtë shifër, sulmuesit nga Maqedonia e Veriut iu deshën 17 ndeshje.
Christian Mba (2022/23). Fenomeni i Trepçës ’89 po kalonte në super formë në stinorin vjeshtor me klubin mitrovicas, dhe kështu shënonte 10 gola në 18 paraqitje.
Besnik Krasniqi (2022/23). Mbrojtësi i djathtë i Dritës ishte ekzekutuesi i penaltive dhe kështu arriti të shënojë 10 gola në 16 ndeshje të luajtura.
Kreshnik Uka (2021/22) i Drenicës shënonte po ashtu 10 gola në 13 ndeshje. Ky ishte një ndër sezonet më të mira të Ukës në Superligën e Kosovës.
Blend Baftiu (2020/21). Në aspektin individual, Baftiu në këtë sezon po kalonte një formë të mirë. Blendi arriti të shënojë 10 gola në 18 sfida të luajtura me fanelën e Ballkanit.
Alban Shillova (2018/19) me Flamurtarin nisi sezonin shumë mirë. Ai ishte top golashënues i atij sezoni deri në atë pikë kohore. Me klubin nga Prishtina në 16 ndeshje, Shillova shënoi 10 herë.
Kastriot Rexha (2018/19). Rexha është një nga sulmuesit më të mirë që ka shkelur në stadiumet kosovare. Këtë e dëshmojnë ndeshjet e luajtura me klube si Peja, Drita dhe Feronikeli. E pikërisht me këtë të fundit kishte nisjen më të mirë të kampionatit. Rexha shënonte 9 gola në 15 paraqitjet e para në sezonin 2018/19, sezon që u shpall kampion me skuadrën nga Drenasi.
Rekordin për më së shumti gola të shënuar brenda një sezoni të Superligës së Kosovës e mban Mirlind Daku.
Daku me fanelën e Ballkanit në sezonin 2020/21 shënonte 31 gola, duke thyer rekordin, i cili paraprakisht mbahej nga Otto John (2016/17).