
Ish kryenegociatorja e Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, ka kritikuar të dërguarin special të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, për mospjesëmarrjen e grave në bisedimet në Bruksel, raporton Gazeta10.
Tahiri ka thënë se një marrëveshje potenciale mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë vetëm me njohje.
Tutje, Tahiri ka thënë se nuk ka vend për formulime të dykuptimshme dhe se ato duhet të lihen anash.
“Marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë vetëm njohja ndërmjet dy vendeve pa formulime dykuptimëshe, është koha me shkru një histori të re, me hap një kapitull të ri të paqes në mes marrëdhënieve Kosovë- Serbi. Lini anash formulimet. Do t’i lëmë kohë çështjeve të hapura që të mbyllen, nuk është vetëm për Kosovën dhe Serbinë, kjo vlen dhe për BE-në dhe Ballkanin në veçanti kur e shohim çfarë po ndodh”, tha ajo.
Tahiri ka thënë se nuk e di si ka ardhur Lajçak në këtë panel meqë ai po vjen nga një tavolinë e bisedimeve ku nuk ka gra.
“Lajçak guxim të madh që vie sot këtu. Nga tavolinën e zbrazët në Bruksel pa gra, as në delegacionin e Kosovës as të Serbisë, nuk e di si mund të vini këtu. Ne jemi këtu, dhe për të qenë në tavolinën e negociatave duhet të jeni në politikë. Unë jam bërë një negociatore për paqen 23 vite më parë, në konferencën e Rambujesë, kam qenë gruaja e vetme në mesin e 15 burrave. Sepse isha lidere kryesore në lëvizjet për liri dhe pavarësi, unë isha politikane dhe e bëri të pashmangshme të mos isha aty”, tha ajo.
Më tej, ish kryenegociatorja e Kosovës ka bërë thirrje që gratë të jenë pjesë e politikës dhe vendimarrjes së rëndësishme.
“Shoqëria civile është shumë e rëndësishme për demokratizim, por ne gratë nuk duhet të jemi vetëm pjesë e shoqërisë civile por edhe pjesë e tavolinave, të marrim vendime të rëndësishme për të ardhmen për paqe dhe siguri. Jetojmë në një kohë të rrezikshme me luftën në Ukrainë dhe çmenduritë e Rusisë, por edhe që po mundohet të vijë rreth Ballkanit. Me këtë besojmë se nëse gratë do të kishin qenë më herët në lidershipin global në botë ndoshta nuk do të ishim në një krizë kaq të madhe globale. Situata është kështu do të doja të avokoja lidershpin e grave, të investojmë si shoqëri, si institucione, por edhe ku gra ti inkurajojmë”, tha Tahiri. / Gazeta10